INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Sa njohuri kanë gratë dhe vajzat shqiptare në lidhje më shëndetin seksual? Ky studim zbulon detajet

Sa njohuri kanë gratë dhe vajzat shqiptare në lidhje më shëndetin seksual? Ky studim zbulon detajet

Publikuar më: 16:36 27-09-2020

Një studim i kryer në vitin 2016 nga UNFPA ka vënë në dukje njohurinë që kanë vajzat shqiptare në lidhje me shëndetin seksual, riprodhimin, përdorimin e kontraceptivëve dhe parandalimin e kancerit.

Sondazhi i kryer nga Miranda Spahiu, Eris Dhamo dhe Elda Hallkaj, në universitetin e Tiranës, ka përdorur sistemin "KAP", i cili përdoret për të mbledhur informacion që ndihmojnë me programet shëndetësore në vende të ndryshme.

Sistemi “KAP” analizon njohurinë, sjelljen dhe praktikat e njerëzve, për të kuptuar nivelin e qëndrimit negativ që kanë popullatat ndaj planifikimit familjar dhe kontraceptivëve.

Metodologjia

Për sondazhin u intervistuan rreth 300 gra dhe vajza nga 15 deri në 49 vjeçe, në qendra shëndetësore urbane dhe rurale. Pjesëmarrëset u përzgjodhën në mënyrë rastësore dhe intervista ishte anonime.

20% e pjesëmarrëseve ishin nën 24 vjeçe, një e treta e tyre midis moshës 25 deri në 34, dhe pjesa tjetër 35 deri në 49 veçe. 70.4% jetonin në zona urbane, 29.6% në zona rurale. Mbi 50% ishin të martuara, 20% beqare dhe më pak se 10% ishin në një marrëdhënie.

Sigurimet shëndetësore

Nga vajzat që nuk kishin sigurime shëndetësore, 21% thanë se kishte ndodhur për shkak të statusit të papunësisë; 23% nuk kishin kohë për ta përfunduar procedurën; 5% ishin në pritje.

Kanceri i mitrës dhe i gjirit

Pasi u pyetën se cilat mendonin se ishin rreziqet për shfaqjen e kancerit, mendimi kryesor ishte se vinte nga të pasurit e shumë partnerëve (30.1%) dhe përhapja e sëmundjeve seksualisht të trasnmetueshme (30.7). Mendimi i dytë më i përhapur ishte në lidhje me Human Papiloma Virus, (15.5%) dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale në moshë të hershme (15.2%).

32.7% e pjesëmarrësve kishin bërë PAP test, ndërsa pjesa tjetër (67.3%) thanë se nuk e kishin bërë për shkak se nuk kishin qenë sëmurë (25.5%), mungesë kohe, neglizhim (14.5%) mungesë njohurie (9.2%).

Kur u pyetën nëse ishin në dijeni se cilat ishin simptomat e para që tregojnë praninë e kancerit të gjirit, 83.% u shprehën për praninë e gjëndrave në gji, dhimbjes dhe shkarkimit të sekrecioneve nga thithkat. Zmadhimi i gjirit dhe irritimet në lëkurë njiheshin si simptoma nga më pak se 10%.

57.7% e të intervistuarave dinin si ta bënin vetë kontrollin për kancer gjiri, dhe 34.5% e kontrollonin veten rregullisht.

Kontraceptimi

89.8% e të intervistuarave ishin në dijeni të prezervativëve si metodë kontraceptimi, 82.8% ishin në dijeni të pilulave, 37% ishin në dijeni të pajisjeve intra-uterine, dhe 32.9% e dinin për Pilulën e Emergjencës. Më pak se gjysma ose nuk përdornin asnjë metodë kontraceptimi (36.3%) ose bazoheshin te tërheqja e partnerit (40%).

Kur u pyetën se pse nuk përdornin metoda moderne të planifikimit familjar, shpjegimi më i shpeshtë ishte se ishin të kënaqura me metodën që përdornin aktualisht (tërheqja e partnerit), si dhe nga frika se mos metodat moderne mund të shkaktonin efekte anësore.

Për të ardhmen, gati gjysma ishin dakord të përdornin kontraceptivë, 34.3% nëpërmjet prezervativëve, 10.3% me pilulat dhe 1.2% me metoda inter-uterine.

58.1% e vajzave mendonin se ishin të mirëinformuara në lidhje me planifikimin familjar dhe kontraceptivët, 12.8% mendonin se ishin shumë të informuara. Më pak se një e treta mendonin se nuk ishin të informuara mirë dhe vetëm 2.6% deklaruan se nuk kishin asnjë lloj ioinformacioni. Megjithatë, 79.7% do të donin të dinin më shumë rreth metodave.

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme

96.2% ishin të informuara për SIDA/HIVn, 54.1% për sifilizin, 32.8% për Hepatitin B, 30.8% për gonorrean, 17.3% për herpes, 12.9% për papiloman, 6% për Trikomonas.

Më pak se gjysma (41.6%) e dinin se ku të drejtoheshin për të bërë analiza për HIV dhe infeksione seksualisht të transmetueshme, po vetëm 8.2% i kishin bërë analizat. Shumica (81.2%) mendonin se nuk rrezikonin, ndaj dhenuk i kishin bërë. Megjithatë, 81.9% do të donte të kishte më shumë informacion.

Lindjet dhe aborti

52.1% e të intervistuara kishin fëmijë, dhe një e treta e tyre deklaruan se shtatzënia kishte qenë e planifikuar, ndërsa 11.7% pranuan se kishte qenë pa plan.

20.6% e pjesëmarrësve kishin kryer aborte. Nga këto, 38.5% kishin bërë vetëm një abort, 13.7% dy aborte, dhe 2.6% tre ose më shumë.

58.1% e aborteve ishin kryer në klinika shtetërore, 31% në klinika private.

52.7% e grave që kishin abortuar kishin marrë këshillim mjekësor, 34.1% nuk kishin marrë, dhe 12.4% nuk e mbanin mend. Për shumicën (60.1%), vendimi për të ndërprerë shtatzëninë ishte marrë bashkërisht me partnerin, për 23.2% kishte qenë vendim personal.

Në lidhje me arsyet se pse kishin bërë abort, 28.5% përmendën arsyet ekonomike, 7.2% ishin këshilluar nga mjekët, 1.4% ishin ndikuar nga familja, 24.8% ngaqë nuk donin më fëmijë, 16.8% ngaqë nuk kishin lidhje të qëndrueshme me partnerin, 15.3% për arsye shëndetësore.

46.5% e grave që kishin kryer abort kishin marrë këshilla për kontraceptimin pas abortit, ndërsa 39.4% nuk kishin marrë asnjë këshillë.

Article Logic
Execution time: 0.0025548934936523