INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Salah Abdeslam nuk shpërtheu për të shpëtuar jetë”

“Salah Abdeslam nuk shpërtheu për të shpëtuar jetë”

Publikuar më: 11:29 02-04-2016

I mbijetuari prej terroristëve që goditën Parisin më 13 nëntor të vitit të kaluar, nuk hodhi veten në erë “për të shpëtuar jetë njerëzish”.

Kështu ka deklaruar për një televizion francez Mohamed, vëllai i Salah Abdeslam. Ai u takua me të vëllain e akuzuar për terrorizëm, që mbahet në qelinë e një burgu belg në pritje të ekstradimit për në Francë.

“Po të hidhja veten në erë do të kishte shumë më shumë viktima. Fatmirësisht reflektova dhe nuk shpërtheva bombat”, mësohet të ketë thënë Salah.

Sulmet me armë dhe bomba në Bataclan, një teatër koncertesh, stadium dhe restorante e bare lanë të vdekur 130 persona në kryeqytetin francez. Mohamed Abdeslam thotë se i vëllai terrorist i kishte thënë se dëshiron të bashkëpunojë me autoritetet franceze sepse “ndjen peshën e fajësisë për sulmet në Paris, por jo për ato të Brukselit”.

Megjithatë, autoritetet belge thonë se kanë provuar lidhjet mes Salah dhe të paktën dy prej autorëve të sulmeve me bomba në Bruksel. Gjurmët e gishtave të tij u gjetën në apartamentin e marrë me qira nga Khalid el-Bakraoui, i cili hodhi veten në erë në metro më 22 mars.

Hetuesit thonë gjithashtu se në shtator të 2015, Abdeslam është ndaluar nga policia në kufirin mes Hungarisë dhe Austrisë në të njëjtën makinë me Najim Laachraoui, njëri prej dy personave që hodhën veten në erë në aeroport.

Abdeslam, 26 vjeç, u arrestua muajin e kaluar në Bruksel nga autoritetet belge. Katër ditë pas arrestimit të tij, tre shpërthime me bombë, dy në aeroportin e Zaventemit dhe një në një stacion metroje shkaktuan 32 të vdekur dhe dhjetra të plagosur. ISIS ka marrë përsipër sulmet si në Paris, ashtu edhe në Bruksel dhe ka kërcënuar për të tjera goditje terroriste në Europën Perëndimore. I ashtuquajturi Shteti Islamik ka vendosur në shënjestrën numër një Salah Abdeslam, të cilin e quan tradhtar.

Article Logic
Execution time: 0.0037431716918945