Ervin Salianji, deputeti i sapo zgjedhur i Partisë Demokratike, ka qenë i ftuar në një emision televiziv ku ai është përpjekur të analizojë rezultatin e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit.
Salianji thotë se figura të caktuara në këtë forcë politike kanë qenë të gatshëm për të bashkëpunuar me PS “për inat të vjehrrës”. Për Salianjin këta persona kanë kërkuar largimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, pa u numëruar ende votat zgjedhjeve të 25 qershorit.
“Siç kanë qenë të gatshëm për të bashkëpunuar me PS “për inat të vjehrrës”, ashtu kanë qenë të gatshëm të kërkojnë kreun e PD pa mbaruar ende numërimi i votave. Fakti që ka njerëz që mendojnë ndryshe në PD do të thotë se kjo është shumë pozitive”, tha Salianji.
Ndërkohë që deputeti i PD-së, Genc Pollo ka ironizuar situatën në PD dhe ata që i kanë dalë kundër kryetarit të saj Lulzim Basha me një karikaturë të bërë nga Bujar Kapexhiu. Me gjithë seriozitetin e situatës, ndërsa kritikët i kërkojnë ‘kokën’ Bashës për humbjen në 25 qershor, Pollo e merr me humor.
“Hahaha! Kolegët e mi të dashur!”, shkruan Pollo duke e shoqëruar shkrimin me shpata, merimanga dhe akrepa.