Bernie Sanders premtoi se do të bashkëpunojë me kandidaten presidenciale Hillary Klinton, por nuk tha që lë garën apo që do ta mbështesë kandidaturën e saj.
Senatori i Vermontit, gjatë një fjalimi për mbështetësit e tij, tha se qëllim i tyre i përbashkët është që të mos lejojnë kandidatin republikan Donald Trump të fitojë Shtëpinë e Bardhë.
Sanders prej shumë javësh i reziston thirrjes për t’i dhënë fund fushatës së tij, sidomos pasi Klinton arriti numrin e duhur të delegatëve për kandidimin automatik.
Sanders fitoi zgjedhjet në 22 shtete amerikane dhe mori më shumë se 12 milionë vota, por Klinton mori 16 milionë vota dhe mbështetjen e delegatëve të lirë, duke u bërë “de facto” kandidatja e Partisë Demokratike për presidencën.
Presidenti amerikan Barack Obama dhe zëvendësi i tij Joe Biden kanë dhënë mbështetjen e tyre për Klinton, diçka që Sanders nuk e ka bërë me shpresën se mund ta ndryshojë situatën në konventën e Partisë Demokratike në korrik dhe t’i zërë vendin Klintonit.