INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Seanca e jashtëzakonshme në OKB/ Vuçiç ''shpërthen'' kundër taksës dhe ushtrisë së Kosovës, Thaçi i përgjigjet kështu!

Seanca e jashtëzakonshme në OKB/ Vuçiç ''shpërthen'' kundër taksës dhe ushtrisë së Kosovës, Thaçi i përgjigjet kështu!

Publikuar më: 23:27 17-12-2018

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur me kërkesë të Serbisë, për të diskutuar mbi vendimin e parlamentit të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.Vendimi, i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania, ngjalli kundërshtimin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, që vlerësuan se nuk ishte koha e përshtatshme për një gjë të tillë.

Presidenti serb, Aleskandër Vuçiç, shprehu indinjatën mbi votimin e parlamentit të Kosovës, duke e quajtur veprim që rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë rajonit. Në Beograd më parë, ai kishte sulmuar ashpër Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës. Ai tha në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit se Serbia “po përballet me gjithnjë e më shumë vështirësi në Kosovë dhe jam shumë i brengosur dhe madje i frikësuar jo vetëm për popullin tim dhe Serbinë por edhe rajonin”. Ai tha se Serbia kë bërë gjithçka për të përmbushur krejt marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa akuzoi Kosovën për mospërmbushjen e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Beogradi u ka tërhequr vërejtjen Prishtinës dhe Bashkimit Evropian se problemet duhet të zgjidhen përmes bisedimeve dhe “mos na fusni në telashe, siç janë përpjekjet për anëtarësimin në INTERPOL”. “Dhe si kundërpërgjigje vunë tarifën për mallrat serbe. Fillimisht e bënë 10 për qind dhe kur e panë që pati efekt te popullata e vet, e ngritën në 100 për qind. Në kundërshtim me CEFTA-n dhe të gjitha parimet evropiane, duke mbytur çdo marrëveshje tregtare mes Serbisë qendrore dhe Kosovës. A mund ta imagjinoni dikë në shekullin 21 që vë taksë kundër lëvizjes së lirë të mallrave, se nuk u ka pëlqyer një vendim politik i anës tjetër?” Ata, tha ai, “rrezikuan kësisoj tërë komunitetin serb në Kosovë”.

Kosova përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi, i cili në fjalën e tij tha se ushtria e Kosovës do të ishte kontribuese e stabilitetit në rajon dhe se vendimi për ushtrinë është i pakthyeshëm.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka lavdëruar punën e kësaj organizate shumë kombëshe, duke thënë se “kurrë nuk do të harroj që në ditët më të rënda për mua dhe qytetarët e Kosovës, nga ky forum jehuan zëra shprese dhe thirrje për paqe. Unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë”.

Presidenti Thaçi u ka thënë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara se falë tyre u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur, dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës, nga Serbia.

“Ju ishit zëri ynë, kur ne na mungonte një i tillë. Por, ne sot ndodhemi këtu 2 dekada pas luftës së përgjakshme dhe mbi 10 vite pas pavarësisë së Kosovës. Jemi të thirrur në një seancë të jashtëzakonshme në kohën e një situate krejt normale dhe progresi substancial në Kosovë. Kur angazhimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kërkon rishqyrtim serioz dhe vëmendja e juaj është e nevojshme për të adresuar probleme te vërteta me të cilat përballet bota sot”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës ka thënë në Këshill të Sigurimit para shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar.

Sipas presidentit Thaçi, ajo që ka ndodhur është një vendim krejt normal, i drejtë në mision dhe qëllim.

“Nëse Kosova ka bërë gabim është sepse ka pritur pesë vite pa nevojë për themelimin e ushtrisë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar e assesi i gabuar. Është i vonuar sepse kemi pritur, vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më sot, nuk e treguan në raport me shtetin e Kosovës. Por tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka ndërmarrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj. Më thoni ju lutem çka ka të jashtëzakonshme këtu? Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, asgjë fare, që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, pakon e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Kosovës, apo të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

Pikë së pari, Thaçi ka thënë se Rezoluta 1244, përkatësisht paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK-së, proces ky i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa asnjë incident në shtator të vitit 1999, si dhe i vlerësuar lartë edhe nga Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i atëhershëm Kofi Annan.

“Ishte vlerësuar lart edhe nga NATO dhe kjo mbështetet nga dëshmitë dhe raportet ekzistuese të NATO-s, por edhe të UNMIK-ut në atë kohë”, ka thënë Thaçi.

Së dyti, sipas tij, pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari, i cili ishte edhe i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së për negociata lidhur me statusin final të Kosovë, në nenin 52 nënvizon qartë të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.

“Për më tepër, rishikimi i sektorit të sigurisë, i realizuar në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, thekson shumë qartë të drejtën e Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri. Dhe në fund fare, vijon më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që duhet theksuar se është marrë me kërkesën e shtetit serb, nënvizon qartë si loti se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj. Dhe rrjedhimisht, është e drejtë e pakontestueshme e Kosovës që të ketë ushtrinë e saj”, ka thënë Thaçi.

Themelimi i ushtrisë, sipas presidentit Thaçi, është vullnet i qytetarëve të Kosovës me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit, pavarësisht nëse i pëlqen kjo dikujt apo jo.

“Shteti i Serbisë është paraqitur i zemëruar. Por, jo edhe qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se si President i Republikës së Kosovës dhe si Komandant Suprem dëshiron ta thotë troç se ushtria e Kosovës do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet.

Article Logic
Execution time: 0.0038819313049316