INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Seksi në komunizëm, pas shkurreve! Ja si çifti francez e përshkruan Shqipërinë…

Seksi në komunizëm, pas shkurreve! Ja si çifti francez e përshkruan Shqipërinë…

Publikuar më: 12:03 25-04-2016

Dëshmi të padëgjuara për seksualitetin në sistemin komunist, ka sjellë çifti francez Elisabeth dhe Jean-Paul Champseix që kanë jetuar aso kohe 6 vjet në Shqipëri.
Ata kanë botuar një librë “Bulevardi Stalin, Nr.57” dhe tashmë ai është përkthyer dhe në shqip. Një prej pjesëve më të veçanat është dhe kompleksi i shoqërisë kundrejt seksit, pasi ai ishte tabu.

Pjesë nga libri, histori mbi seksualitetin:

Të rinjtë kishin ankth lidhur me seksualitetin.
Çdo botim mbi këtë çështje ishte i ndaluar dhe fotografia e ndonjë gjoksi gruaje konsiderohej si pornografike. Më 1983-shin, kur po kalonim kufirin në veri, një doganier kontrolloi faqe më faqe rreth dhjetë numra të revistës “Nouvel Observateur” që kishim marrë me vete nga Franca.
Aty gjeti një fotografi të një vajze në plazh dhe një foto nudo artistike, që vinte nga një ekspozitë parisianë. I lumtur për këto gjetje, na kërkoi t’i grisnim dhe t’ia jepnim atij fletët në fjalë. I mori pra copëzat e letrës, të cilat me siguri i ka rimbledhur për të formuar fotot, por për fatin e tij të keq, në Shqipëri nuk ka shirit ngjitësi të padukshëm, s’di si ka bërë!
Mes burrave, seksi ishte subjekt bisede dhe shakash të pashtershme. Mirëpo seksualiteti i jetuar është krejt ndryshe nga ai për të cilin flitet. Për burrin konsiderohet si një nevojë që duhet përmbushur, si një tension që duhet qetësuar, kurse për kënaqësinë e gruas nuk bëhet kurrë fjalë. Gratë shqiptare ua kanë shprehur hapur teknikëve francezë se “burrat shqiptarë nuk dinë të bëjnë dashuri”.
Të shumta janë gratë që u binden rregullisht “kërkesave” të burrit. Në moshën 40- vjeçare ato ndihen të qeta, sepse shpesh burrat i neglizhojnë përfundimisht. Në qytet, ngushtësia e apartamenteve dhe bashkëjetesa e disa brezave shkakton probleme të mëdha. Parku i madh i Tiranës, i pasur me shkurre, bën të mundura marrëdhëniet pa elegancë, çka e detyron atë që bën shëtitje të mos largohet nga udha se mos shqetësojë pa dashje çiftet. Ditët kur ka ndeshje futbolli, për shembull, të dashuruarit përfitojnë, se parku është bosh.
Nëpër shkurre bëhet dashuri “alla shqiptarçe”: burri shtrirë në tokë, kurse gruaja ulur mbi të, që mund edhe të përgjojë rrotull. Pati periudha kur policia mundohej t’i largonte dashnorët baritorë, duke organizuar patrulla të rregullta, por shpejt hoqi dorë.
Një ditë më thirri në zyrë zëvendësdekani. Nuk po guxonte të më thoshte për ç’arsye ishte i shqetësuar. Më në fund më tha se në porosinë e fundit për libra të bibliotekës ishte futur edhe një vëllim, që do të ishte më mirë të anulohej. Titujt ishin zgjedhur me shumë kujdes në varësi të ideologjisë së vendit, prandaj po pyesja veten se për cilin libër bëhej vallë fjalë.
Ishin “Tregimet” e Volterit. Shkas për këtë nuk ishin tekstet e autorit, por kopertina e botimit me format xhepi, që u kishte tërhequr vëmendjen censuruesve. Aty paraqitej një vajzë e bukur, shumë tërheqëse, shtrirë lakuriq mbi një divan, duke shfaqur pa teklif vithet e saj të rrumbullakëta.
Fakti që piktura e paraqitur ishte bërë nga njëfarë Busher nuk ndryshoi gjësend. Na u desh ta mbështillnim librin me një letër të trashë për ta fshehur vajzën “mendjelehtë”.
Pedagogët e fakultetit ishin dakord se ishte budallallëk, por ata vetë i kishin ngjitur faqet e një enciklopedie për fëmijë që kishin blerë në Francë, ku tregohej trupi i njeriut. Natyrisht që fëmijët plot epsh argëtoheshin duke i shqitur ato. Edhe studentët reagonin si të ishin në fillore.
Edhe nëpër rrugët e kryeqytetit mbretëron një tension seksual fort i prekshëm. Djemtë, ulur në bordurat e parqeve, shohin vajzat që u kalojnë përpara me vështrime plot epsh.
Kështu, për shembull, një pedagoge, e cila kishte jetuar në Perëndim, e kritikonte shthurjen, por fliste vetëm për seks. Për shembull, kur po kërcenim në një nga mbrëmjet e rralla në shoqëri të kolegëve tanë, kjo deklaroi se një gjë e tillë ishte absolutisht e pamundur në Francë, ku sipas saj, francezët kërcejnë vetëm për ta joshur dhe futur në krevat partneren pas darkës.
Elizabeta e kundërshtoi, duke i thënë se disa valle shqiptare, si “Napoloni”, janë shumë më të seksualizuara sesa kërcimet nëpër diskoteka! Madje, edhe prapamendimet janë në kokë, përderisa burri i kërkon leje një burri tjetër kur do të kërcejë me gruan e tij. Studentët na thonë “Tek ne, seksualiteti ishte më i çliruar në Mesjetë!”.
Disa djem pranojnë se kanë kryer marrëdhënie me një femër më të madhe në moshë ose me ndonjë grua rome. Zakonisht e kujtojnë si përvojë jo të mirë. Na thoshin se nuk dinin çfarë të bënin dhe do t’u pëlqente të lexonin Frojdin. E dinin se ati i psikanalizës ka shkruar për problemet e seksualitetit, por dukej se e ngatërronin atë me Kama-Sutrën.

Article Logic
Execution time: 0.0035278797149658