INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Seksualiteti dhe fëmijët

Seksualiteti dhe fëmijët

Publikuar më: 13:41 03-10-2016

Nga Denata Toçe

Sot ju prindër keni mundësi t’i flisni fëmijës për erosin = jetë. Ju keni mundësi t’i tregoni se jeta trashëgohet nëpërmjet riprodhimit dhe se ky proces është unik në raportin me njerëzit, pasi ka brenda emocion dhe ndërgjegjësim.

“…Del nga dhoma e tij duke qarë, i trembur, pa asnjë pikë gjak që t’i jepte ngjyrë fytyrës, i pa orientuar se kujt po i drejtohej, përplaset me të atin dhe vrullshëm i tregon se diçka i ka ndodhur organit të tij gjenital (ose siç do ta quante ai, bibi…ushit.) I ati, nuk e shikon fare në sy, sigurohet që askush tjetër në familje nuk e ka dëgjuar, vetëm nëna thërret nga dhoma tjetër, pasi kishte ndjerë frymëmarrjen e tij të shpeshtuar, nëse kishte ndodhur gjë apo jo. I ati siguron nënën që nuk ka ndodhur asnjë gjë, shkojnë së bashku me fëmijën në dhomën ngjitur, dhe i ati i vërsulet të birit me një ton alarmuar duke i kërkuar që t’i tregoj menjëherë se çfarë kishte bërë. Sigurisht, që djali i cili deri në ato momente mendonte t’i thoshte të vërtetën, mori vendimin t’i tregonte pjesërisht të vërtetën mbi prekjen e tij të organit seksual duke bërë urinën. Kur shkoi në dhomë filloi të ndjente djegie dhe pa tek të mbathurat që i kishte dalë pak gjak. I ati, i cili nuk e besonte këtë histori, pasi me sa duket duhet të kishte ardhur edhe ai vet nga një eksperiencë e ngjashme, irritohet dhe me tone më të ashpra i konfirmon djalit i bindur se ai me siguri që kishte qenë duke luajtur me bibi…ushin e tij. I kërkon menjëherë të birit të lahet dhe pastaj të vesh të mbathura të tjera, si një ritual “larjeje mëkatesh” dhe më pas të shkojë të shtrihet dhe të mos e përsërisë më atë që kishte bërë.”

Ky është tregimi i një prej shumë historive që prindërit sjellin në seancat e këshillimit për fëmijët e tyre në fillimin e pubertetit apo edhe gjatë adoleshencës. Kjo është historia e një djali 11-vjeçar, e treguar nga nëna e tij. 11-vjeçari kishte vështirësi me shoqërimin me persona të tjerë sidomos ato të seksit të kundërt. Fëmija pas ngjarjes së ndodhur me të atin, dy javë kishte ndjesinë e përzierjes sa herë që vinte mbrëmja. Më pas, nëna më pohoi se darka ishte periudha ku hera-herës djali i saj mbyllte derën me çelës dhe ajo dyshonte se ai masturbohej. Kjo sjellje ishte një nga ngjarjet më jo të zakonta të familjes së tyre dhe ata të gjithë ishin shumë të shqetësuar, dhe siç duket, edhe fëmija po e përjetonte me po aq dramaticitet dhe fatkeqësisht, turp sjelljen që kishte kryer.

Sa herë që përballem me prindër të cilët janë të shqetësuar për episode sjelljesh me natyrë seksuale, më lindin shumë pyetje “rebele” në raport me seksualitetin e fëmijës, pyetje që janë përtej “moralit” të indoktrinuar të një mentaliteti arkaik dhe ndrydhjes, frustrimit, ngërçit, “kapsllekut mendor” të shoqërisë shqiptare apo edhe shoqërive të tjera të ngjashme, qofshin këto edhe vende të zhvilluara me një moral puritan, në raportin që ata kanë me seksin. Çfarë pamje do të donin prindërit t’i tregonin fëmijës në raport me seksualitetin e tyre? Apo ndoshta nuk duan t’ia tregojnë atë asnjëherë? Si e kanë përfytyruar ata seksin në moshën e fëmijës së tyre dhe çfarë do të donin të ndryshonin në raport me fëmijët? Sjelljet seksuale në sy të fëmijës (të puthura, përkëdhelje, fjalë dashurie, gjeste joshëse, lojëra të rriturish etj.) a janë prezente në jetën e tyre të përditshme? Cilat janë pyetjet në kokën e prindërve që ata edhe sot e kësaj ditë nuk i kanë dhënë dot një përgjigje dhe a mendojnë se ndoshta edhe fëmijët e tyre do të donin të kishin një përgjigje? Fundja, çfarë e bën kaq të vështirë të flasin thjesht dhe drejt mbi seksualitetin me fëmijët dhe fundja, çfarë e bën kaq të “pisët” të gjithë temën në vetvete?

Të gjithë pyetjet e shtruara më sipër, janë pjesë e vështirësive me të cilat përballen thuajse pjesa më e madhe e familjeve në raport me komunikimin dhe edukimin e fëmijës së tyre. Duhet të pranojmë se prindërit sot janë shumë më të përgatitur t’u servirin fëmijëve një jetë më të hapur mbi tema të kësaj natyre. Sot vërej se prindërit kanë një raport tjetër mbi fenomenet tabu si: vdekja, ndarja, sëmundjet, seksi, etj.,por ende ka shumë punë për të bërë në raportin e informimit të drejt dhe të vërtetë të fenomeneve. Duhet të pranojmë gjithashtu se modelet e këtyre prindërve nuk kanë qenë fort të suksesshme për të konkretizuar një komunikim që vjen organikisht i plotë dhe i denjë për t’iu qasur vetes në radhë të parë dhe fëmijëve: këtu kam parasysh të gjithë ata fëmijët të cilët kanë qenë pjesë e mentalitetit të periudhës gjatë dhe post komuniste. Edhe ata kanë trashëguar modelet e tyre, por kjo është histori e gjatë. Për ta sjellë në të tashmen më shkurt, i referohemi atyre prindërve të cilët në vitet e komunizmit, nuk arrinin të sillnin shembuj më jo të vërtetë se këto: se po të fshiheshe me peshqirin që ishte fshirë një mashkull, mund të mbeteshe shtatzënë, ose po t’i dhuroje një puthje gruas apo burrit në sy të fëmijëve, “prishje” moralin e familjes. Ose sikurse tregonte një prej profesorëve të psikologjisë rreth mitit të botës oksidentale, se pija e Cocal Colës të degjeneronte. Ose, po të luaje me organet e tua gjenitale (të masturboheshe), mund të humbisje virgjërinë. Ne si fëmijë në atë kohë dhe çdo kush tjetër që sot është vetë prind, e mban mend se si trupi i tyre është rritur dhe zhvilluar dhe se sa të vështirë e kanë pasur për të folur hapur dhe drejt me prindërit, për t’i bërë pyetje që hera-herës linin në ankth dyshimet se çfarë mund të kishte ndodhur me trupin, pse tashmë disa pjesë të trupit u janë mbuluar me qime? Pse dalin dy kokrra që dhëmbin në gjoksin e një vajze? Pse del gjak nga trupi i një vajze? Fundja, pse kam këto ndjesi që kam kur mendoj ose shikoj një person që më pëlqen? Çfarë janë ato ndjesitë tek barku sikur të ishin disa flutura shumëngjyrëshe të cilat përkëdhelin jo vetëm trupin por edhe mendjen? A është raporti me një mashkull kaq i dhimbshëm sa tregojnë, apo dhimbja është pjesë e kënaqësisë seksuale? Këto pyetje kanë ngelur pa përgjigje, ose kush ishte me fat, i merrte përgjigjet nga disa shokë apo shoqe çapkëne, dhe dikush tjetër nëpërmjet eksperiencave, që hera-herës ishin edhe traumatike për moshën dhe për mungesën e informacionit.

Sa herë janë mbyllur veshët dhe sytë tanë përballë skenave me natyrë erotike të cilat rastësisht dilnin pranë ekraneve të TV-së, kjo e fundit tashmë ishte e censuruar dhe filmat kryesisht i kemi kuptuar pas ’90-ës se çfarë në të vërtet kishte ndodhur në të. Çdo sjellje afektive romantike e një burri dhe një gruaje, ishte e shtrembëruar në sy të fëmijës, ndaj dhe botëkuptimi mbi seksualitetin dhe erosin, pra jetës, ishte e shtrembëruar. Kjo situatë nuk të mundëson që të jetosh jetën ashtu sikurse ajo është në të vërtetë. Kështu është trashëguar edhe kultura e komunikimit dhe njohjes së seksualitetit me veten dhe përçimi tek fëmijët sot.

Prindërit, në mungesë të këtyre modeleve dhe rehabilitimit me veten në raport me seksualitetin e kanë të vështirë t’i përgjigjen edhe sot shumë prej pyetjeve që fëmijët mund të drejtojnë. Sa mirë që vërej se prindërit këmbëngulin në një komunikim të hapur me fëmijët, por pa dashjen e tyre lënë shume tema jashtë saj. Më vjen mirë nga ana tjetër që disa prindër kërkojnë ndihmë se si t’u flasin fëmijëve të tyre në raport me pyetjet që ato kanë ose me veprimet që konstatojnë se janë të panjohura për ata.

Sot ju prindër, keni mundësi që t’i ofroni fëmijëve tuaj një njohje të drejt dhe të shëndetshme në raport me seksualitetin. Ju keni mundësi t’i flisni fëmijës për Erosin = jetë. Ju keni mundësi t’i tregoni se jeta trashëgohet nëpërmjet riprodhimit dhe se ky proces është unik në raportin me njerëzit, pasi ka brenda emocion dhe ndërgjegjësim. Flisni me fëmijën në raport me njohjen tuaj me partnerin dhe dashurinë për atë. Tregojini modelin e konsumimit romantik, taktil dhe fizik në sy të fëmijëve (prekjet, puthjet, përqafimet, deklaratat, etj.) që ata të njohin nëpërmjet jush atë të cilën do e përjetojnë edhe vet në të ardhmen. Tregojini se ndjesia e turpit është tipike për njeriun, por kontribuoni që të argumentoni së bashku se nuk është asnjë prej ndjesive të tyre, pjesë e diçkaje të fajshme që ata kanë bërë: të prekësh organet seksuale dhe të ndjesh kënaqësi nuk është turp. Ta bësh këtë akt në publik, nuk është një veprim i pranueshëm nga shoqëria. Të ndjesh dëshirën për të puthur një djalë apo një vajzë nuk është turp, por prindërit do të duhet të përshtatin situatat në të cilat kjo është e shëndetshme sipas moshës së fëmijës.

E gjitha si më sipër, është pak informacion, në raport me spektrin e botës së seksualitetit. Fëmijët meritojnë të njohin sa më mirë dhe të vërtetën mbi ekzistencën dhe qasjen e seksualitetit në jetën e njeriut. Kështu personaliteti i tyre kompletohet. I japim mundësi për frymëmarrje erosit i cili e shoqëron jetën deri në mbarimin e saj.

Article Logic
Execution time: 0.0041849613189697