Policia e shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza kanë bllokuar një gomone me drogë dhe tre shtetas në bord, një shqiptarë dhe dy italianë.
Shërbimet e përbashkëta të Policisë Kufitare e Migracionit dhe të Guardia di Finanza, diktuan një gomone me ngarkesë të dyshuar lëndë narkotike e cila po lëvizte me shumë shpejtësi drejt Italisë.
Si rezultat i operacionit të përbashkët, pas rreth 4 orë ndjekje me personel e mjete lundruese të të dy palëve u bë e mundur kapja e saj në orën 21.05, rreth 16 milje larg bregdetit shqiptar.
Gomonia ishte 10 m e gjatë, me 2 motorra x 135 kf, në bordin e së cilës u gjetën dhe arrestuan, 1 shtetas shqiptar dhe 2 shtetas Italian me gjeneralitetet e mëposhtme:
E.T, 22 vjeç, nga Vlora
G.T, 42 vjeç, nga Brindizi Itali,
A.M, 41 vjeç, nga Brindizi Itali.
Në vendin ku u kap gomonia deri tani janë gjetur në det 400 kile drogë të ndarë në 15 pako të mëdha me lëndë narkotike e llojit cannabis sattiva.
Po vijon puna e përbashkët për zbardhjen e plotë të këtij rasti trafiku ndërkombëtar droge.