Policia e Lezhës ka arrestuar 4 persona si dhe ka shoqëruar 15 të tjerë për vepra të ndryshme penale gjatë operacionit të koduar, “Telekomanda”. Gjatë këtij aksioni punonjësit e policisë kanë sekuestruar mina me telekomandë, armë dhe drogë. Drejtori i Policisë Vendore Lezhë, Ferdinand Mara ka bërë publike detajet e operacioni në një deklaratë shpërndarë për mediet.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditje e veprimtarisë kriminale, gjatë orëve të natës, kanë finalizuar operacionin e koduar “Telekomanda”. Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot – Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë. Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT”-sqaron policia. 29-vjeçarit ju gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje. Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.
Nga strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në mbështetje edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, janë ushtruar kontrolle blic në pika kontrolli të dislokuara në rrugë, në lokale, pika basti, banesa të pabanuara dhe në çdo vend ku dyshohej se mund të ushtrohej veprimtari kriminale apo të fshiheshin persona në kërkim. Gjatë këtyre kontrolleve në Kurbin u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim Gentjan alias Gazmir Elezi, 32 vjeç, banues në Fushë-Mamurras në Kurbin. Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin me vendimin e datës 24 nëntor 2015, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Elezi ka qenë i përfshirë në ngjarjen e datës 23 shtator 2015, në Mamurras Kurbin, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes disa personave ka mbetur i vrarë shtetasi N.T.
Po në Kurbin, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard alias Gentjan Tafa, 35 vjeç, banues në Malbardhë. Në Laç, gjatë kontrollit, atij iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 8 fishekë. Arrestimi i Tafës u bë për veprën penale” Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në pranga të policisë ka përfunduar edge shtetasi Eris Gjoni, 20 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrollit tek një lokal në Lezhë, iu gjet një shkop hekuri policor. Gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë 12 orëve të fundit janë shoqëruar për verifikim 15 shtetas me precedentë penalë kryesisht të dyshuar për “Vjedhje” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.