Në Rinas janë sekuestruar sot 3 pako më armë luftarake. Forcat antiterror e kanë zbuluar në kohë dhe mësohet se ato do të kalonin transit nga vendi ynë drejt shteteve të tjera. Pakot po dërgoheshin me postë private dhe pas skanimit u zbulua se ndodheshin tre kuti me armë.
Me sa duket sulmet terroriste të ditëve të fundit në disa nga vendet evropiane dhe kërcënimet për sulme të tjera nga ISIS, kanë bërë më të ndjeshme strukturat blu dhe antiterrorin. E nga dita e djeshme ata kanë shtuar forcat e rendit në terren dhe agjentë të SHISH.
Këto struktura kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist me qëllim parandalimin e episodeve të mundshme terroriste. Ndaj për këto arsye Policia e Shtetit me strukturat e saj të specializuara kërkon mirëkuptimin për këto masa shtesë. Gjithashtu kërkon bashkëpunim me qytetarët për të denoncuar çdo dyshim për persona të ndryshëm duke i kujtuar dhe për numrat falas të telefonit 112 dhe 129.