INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Selami sulmon Bashën: Fasadë demokratike, është si Ramiz Alia!

Selami sulmon Bashën: Fasadë demokratike, është si Ramiz Alia!

Publikuar më: 18:27 20-07-2017

Vetëm dy ditë e ndajnë nga zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike dhe Eduard Selami ka lëshuar një akuzë ndaj rivalit të tij Lulzim Basha.

Ai e krahasoi kryetarin aktual të demokratëve me ish liderin komunist Ramiz Alia, me pretendimin se Basha nuk po krijon kushtet për një garë të barabartë. Selami, në argumentimin e tij cilësoi se Ramiz Alia krijoi gjithashtu një fasadë demokratike. Duke folur për Bashën, deputeti demokrat tha se Basha nuk mbajti një sërë premtimesh që do të garantonin garë të hapur për kreun e ri të opozitës. Ja fjalët e tij, të mbledhura nga lapsi.al në intervistën për Zëri i Amerikës:

“Unë mendoj se shmangia është se nuk mund ta përballojë një debat të hapur. Dhe fatkeqësisht më kujton më shumë liderin e fundit komunist, Ramiz Alinë i cili bënte gjithshka dhe të pamundurën për një fasadë demokratike, një pluralizëm mendimi dhe i shmangej asaj që ishte më kryesorja që shqiptarët më në fund e arritën.

Patjetër si gjithçka, kjo garë duhet të kishte elementë përmirësimi, por këto fatkeqësisht nuk janë bërë sepse zoti Basha është i interesuar për mbajtjen me çdo kusht të postit të kryetarit, se sa për shëndoshjen dhe ringritjen e PD-ës.

Kjo fillon që nga koha që ishte shumë e shkurtër. Nga fakti që në kushte të tillë kur zoti Basha një herë ngriu si kryetar, tashmë herët e fundit dhe kryetarët e degëve e prezantojnë si kryetar dhe unë them me shaka “Kur është kryetar, atëherë ç’vlerë ka gara?.  

Ana tjetër është mospublikimi i listave dhe ajo çka mua më ka zhgënjyer dhe me shumë është ndrydhja e garës. Më premtoi zoti Basha që debatet do të jenë të hapura, që një pjesë do të ishin të përbashkëta. Unë do të doja që të gjitha të ishin të përbashkëta, me praninë e kamerave, të medias së lirë, pra që të hapemi dhe demoratët e qytetarët të shikonin që vërtetë po ndodh diçka e rëndësishme po ndryshon.”

Article Logic
Execution time: 0.0041258335113525