Tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një tren pasagjerësh u përplas me një banesë në veri të Greqisë.
Treni i cili udhëtonte nga Athina, u përplas me një shtëpi pasi doli nga shinat në afërsi të qytetit të Selanikut. Një nga banorët e pronës tha se ai kishte mundur të shpëtonte duke u hedhur nga ballkoni vetëm pak momente përpara se treni të përplasej me banesat, shkruan BBC.
Nuk dihen ende shkaqet që çuan në daljen e trenit nga shinat. Viktimat nuk janë identifikuar ende formalisht por mediat lokale raportojnë se një nga të vdekurit ishte pasagjer, ndërsa dy të tjerët pjesë e stafit drejtues të trenit.
Makinisti i trenit me 5 vagona në të cilin qëndronin 70 pasagjerë është një nga të lënduarit. Një nga vagonët e trenit është përplasur me një banesë të dy emigrantëve shqiptarë të cilët shpëtuan për mrekulli. Sipas agjencisë ANA-MPA, shqiptarët ndodheshin në shtëpi në momentin e aksidentit, por përveç se të tronditur nga ngjarja nuk pësuan lëndime.