Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ambasadori Donald Lu pritën sot në aeroportin “Nënë Tereza”, senatorin amerikan John McCain. Gjatë qëndrimit të senatorit McCain në Rinas, ministrja e Mbrojtjes, zonja Mimi Kodheli e njohu me progresin e arritur në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e vendit tonë për të vijuar në këtë drejtim, të bindur se jemi në rrugën e duhur.
Senatori McCain u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar të trajnuar në programe të ndryshme të qeverisë amerikane. Gjatë bashkëbisedimit të tyre, ministrja e Mbrojtjes risolli në vëmendje edhe njëherë misionet ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë duke nisur nga misioni në detin Egje, deri tek misionet në Afganistan dhe vijoi më tej me stërvitjet e përbashkëta me aleatët.
Gjithashtu ministrja Kodheli u ndal edhe te kontributi i vendit tonë si pjesë e koalicionit global kundër ISIS, kontribut të cilin ministrja Kodheli e cilësoi të duhur dhe të drejtë. Shqipëria jep kontributin e saj në misionin paqeruajtës Resolute Support në Afganistan dhe ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.