Senatorja australiane Sarah Hanson-Young ka ngritur një padi kundër një kundërshtari politik, i cili bëri "shaka seksiste" ndaj saj. Senatorja e të Gjelbërve, 36 vjeç, është politikania e parë australiane që padit një koleg për shpifje. Ajo pohon se senatori David Leyonhjelm bëri "deklarata shpifëse" për jetën e saj personale në parlament dhe në mediet australiane. Leyonhjelm, 66 vjeç, ka thënë se do ta mbrojë veten me forcë. Senatori Liberal Demokrat u kritikua gjerësisht në qershor, pasi ai i tha zonjës Hanson-Young që "të ndalojë ‘shagging’ fjetjen me burrat" gjatë një debati në Senat për frenimin e dhunës kundër grave. Pasi zonja Hanson-Young foli për deklaratat e tij, ai përsëriti komente të ngjashme në intervista televizive dhe radio. Zonja Hanson-Young tha se komentet e Leyonhjelm ishin një sulm ndaj karakterit të saj dhe kishin shkaktuar dëm të konsiderueshëm për familjen e saj.
"Unë po e bëj këtë padi sepse është e gabuar," tha ajo në një deklaratë të enjten. "Asnjë grua, pavarësisht nëse ajo punon prapa një bar, në një zyrë apo në Parlament, nuk meriton të trajtohet në këtë mënyrë dhe kjo duhet të ndalet"-tha senatorja. Grindja midis dy senatorëve ka nxitur diskutime publike rreth seksizmit në politikën australiane. Gratë përbëjnë më pak se një të tretën e parlamentit. Avokatët e zonjës Hanson-Young depozituan padinë të hënën në Gjykatën Federale të Australisë. Senatorja tha se do të kishte preferuar kërkimin e një falje publike sesa një veprim ligjor. Leyonhjelm vazhdimisht ka refuzuar të kërkojë falje, pavarësisht thirrjeve për ta bërë këtë nga politikanët e tjerë duke përfshirë Kryeministrin Malcolm Turnbull.
Ai ka thënë se komentet e tij në Senat ishin si përgjigje ndaj fjalëve të thëna nga Hanson-Young “se që të gjithë burrat janë përdhunues". Zonja Hanson-Young ka mohuar me forcë të ketë bërë ndonjë deklaratë të tillë. Për të dy senatorët njerëz nga publiku kanë hapur llogari online për mbledhjen e fondeve, për ti ndihmuar ata në pagimin e pagesave ligjore për këtë çështje. Senatorja deri më tani ka në llogarinë e hapur në emër të saj 44,000 dollarë donacione, ndërsa Leyonhjelm 20,000 $. Senatorja e Gjelbërt është zotuar të dhurojë çdo para që ajo fiton te organizatat bamirëse të grave.