INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Serbia alarm për këto ushqime, a rrezikon Shqipëria?

Serbia alarm për këto ushqime, a rrezikon Shqipëria?

Publikuar më: 20:14 10-03-2017

Pasi Sllovenia i ndaloi eksportin e mollëve me pesticide para disa muajsh, autoritetet franceze të kontrollit të cilësisë së ushqimit kanë tërhequr nga tregu sasi të konsiderueshme frutash pylli të ngrira me origjinë nga Serbia.

Duke u nisur nga rëndësia e madhe, mbrëmjen e kaluar u shpall gjendja e alarmit në lidhje me produktet ushqimore të kontaminuara të Serbisë.

Ngarkesat me mjedër të ngrirë janë futur në territorin francez nga Belgjika dhe të dy vendet kanë ngritur alarmin në maksimum si pasojë e kontaminimit të këtyre frutave me Norovirus, një viruset më infektive në qarkullim.

Qendra e Alarmit e Komisionit Evropian, njoftimit të së cilës i bazohet AgroWeb.org, deklaron se situata është mjaft serioze për shkak të shpërthimit potencial të mikrorganizmave patogjenë të norovirusit që u zbuluan në ngarkesat me mjedër që vinin nga Serbia.

Autoritetet franceze dhe belge kanë urdhëruar tërheqjen e plotë të këtyre sasive ushqimore nga tregjet e tyre dhe po hetojnë mbi mënyrat se si kjo sasi e rrezikshme ushqimesh ia doli të kalonte kontrollet kufitare dhe mbi rreziqet që u kanosen shëndetit të qytetarëve të këtyre shteteve.

Të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë forcuar masat e kontrollit në kufi duke shënjestruar produktet serbe, veçanërisht ngarkesat me fruta dhe perime sepse Norovirus është një nga viruset më të rrezikshëm epidemikë në histori.

Nuk është aspak hera e para që norovirus shfaqet si kontaminues i mallrave serbe drejt tregjeve të BE. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, në Janar të 2017, Danimarka bllokoi luleshtrydhe nga Serbia, ndërsa në Dhjetor të 2016, Hungaria bllokoi të tjera ngarkesa me fruta pylli sërish të kontaminuara me norovirus.

Afërsia e Serbisë me Shqipërinë, dhe veçanërisht me Kosovën si dhe volumet e shkëmbimeve tregtare mes vendeve, natyrshëm ngjall shqetësim dhe nevojë për rënien e alarmit edhe në vendin tonë. Norovirus është një virus ngjitës dhe infektues i një niveli të lartë që shkakton të vjella, diare dhe dhimbje të forta stomaku.

Ndotja e ushqimeve me këtë virus është mjaft e lehtë dhe infektuese. AgroWeb.org informon se mjaftojnë gjurmë të vogla të virusit që njeriu të sëmuret menjëherë prej tij. Ushqimet ndoten që në burim, ndaj kjo situatë është mjaft alarmuese sepse do të thotë që frutat dhe perimet ndoten në zonën e mbjelljes. Rrjedhimisht kjo situatë shkakton mjaft dyshime serioze mbi të gjitha produktet ushqimore me origjinë nga Serbia.

Fermerët, ose punonjësit e serave ose përpunuesit e ushqimeve që janë të prekur nga infeksione janë shpesh burimi i epidemive të shumë viruseve. Ata prekin me duar ushqimet e gatshme për konsum siç janë frutat dhe perimet përpara se të serviren tek konsumatori. Megjithatë, çdo ushqim i freskët ose i përpunuar pas gatimit mund të jetë pre e ndotjes me norovirus.

AgroWeb u bën thirrje autoriteteve të kontrollit ushqimor në Shqipëri dhe Kosovë të jenë vigjilentë dhe të kryejnë kontrolle të imtësishme të importeve nga Serbia që të shmangin shpërthimin e një epidemie si pasojë e përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm.

Article Logic
Execution time: 0.0037119388580322