“Do të rikthehem, jam gati për revanshin”, shkruante në faqen e tij zyrtare në “Instagram” Conor McGregor pas humbjes që pësonte ndaj kampionit rus në eventin e UFC-229, event që krijoi polemika të mëdha pas incidentit që nisi pas kësaj sfide. Pikërisht situata e rrëmujshme e krijuar pas kësaj sfide ka bërë që presidenti i UFC-së, Dana White, të mos mendojë për një revansh. Kreu i arteve marciale mikse nuk e sheh aspak si opsion idenë e një sfide të dytë mes Khabib Nurmagomedov dhe Conor McGregor në të ardhmen.
“Fillimisht duhet të jemi gjakftohtë dhe të ulemi e të shohim se çfarë prodhoi ky event, kjo sfidë. Të shohim se përse ndodhi ai incident dhe të shohim se çfarë vendimi do të marë Komisioni i Sportit të Nevadës. Kam 18 vjet që e bëj këtë punë dhe nuk kam përjetuar kurrë një moment të tillë. Por për një gjë jam i sigurtë në mendjen time, se nuk do të ketë kurrë një revansh mes Khabib dhe Conor në të ardhmen, sado fitimprurës të jetë ai event. Nuk duam të krijojmë një ngjarje të dytë të shëmtuar si kjo që ndodhi në UFC-229”, tha Dana White.