INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Sërish PUNIME në autostradën Tiranë-Durrës/ Ja si do devijohet rruga

Sërish PUNIME në autostradën Tiranë-Durrës/ Ja si do devijohet rruga

Publikuar më: 12:31 13-02-2019

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kanë njoftuar se duke nisur nga dita e enjte (datë 14 Shkurt 2019 ora 07:00 në mëngjes), në kuadër të projektit të “Mirëmbajtjes me Performancë të Bankës Botërore” do të realizohen punime në segmentet rrugore të mëposhtme:

Vazhdimi i punimeve për ndërtimin e (2) tombinove të reja rrethore në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë – Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati & Alba-Elettrica), për ndërtimin e pusetave hyrëse dhe dalëse të portaleve të tombinove.

Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve do të realizohet devijimi i trafikut në km 6+500 në drejtimin Tiranë - Durrës dhe në km 7+550 në drejtimin Durrës - Tiranë në rrugët dytësore në këto pika. Trafiku në këto segmente do të bëhet vetëm në një kalim.

Lëvizja e mjeteve në këtë segment rrugor do të kufizohet brenda harkut kohor prej datës 14.02.2019 deri në datë 19.02.2019, sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Gjithashtu në segmentin rrugor Tiranë - Kamëz, mbas mbikalimit të Kamzës, do të realizohet riparimi i shtresave asfaltike të dëmtuara.

Punimet në këtë segment rrugor do të realizohen duke kufizuar trafikun e mjeteve në një korsi të lëvizjes gjatë kohës së kryerjes së punimeve.

Lëvizja e mjeteve në këtë segment rrugor do të kufizohet brenda harkut kohor prej datës 14.02.2019 deri në datë 17.02.2019, sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanive të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur dhe udhëzimeve të Policisë Rrugore në terren.

Article Logic
Execution time: 0.0038797855377197