Michael B. Jordan është shpallur nga revista People si “Mashkulli më seksi për 2020-tën”. Titulli për aktorin u njoftua gjatë emisionit “Jimmy Kimmel Live”, ndërkohë që ai ka rrëzuar nga froni, John Legend.
“Është një ndjenjë e veçantë. Të gjithë bënin shaka, duke më thënë ‘Mike, kjo është diçka që me siguri ti nuk do e marrësh kurrë’. Por është një grup i mirë për t’u bërë pjesë e tij”, ka thënë aktori për revistën.
Ai ka treguar se femrat në familjen e tij ndihen shumë krenare për këtë titull.
“Kur gjyshja ime ishte gjallë, ajo i koleksiononte revistat e People dhe më pas natyrisht që mami dhe tezet e mia e lexonin shumë. Dhe padyshim që këtë kopertinë do e vendosin në një vend të veçantë”, ka thënë Jordan.
Michael B. Jordan ka nisur karrierën si aktor që në fëmijëri në spektakle të tilla si “All My Children” dhe i ngjiti një nga një shkallët për të kapur majat e suksesit. Në 2013-tën ai luajti në dramën “Fruitvale Station”, ndërsa dy vite më vonë në filmin “Rocky”. Në 2018-tën ai u shfaq përkrah të ndjerit Chadwick Boseman në filmin “Black Panther”.
Aktori 33-vjeçar është shprehur se gjithë sukseset vijnë nga ndihma e madhe që ka pasur nga prindërit, që kanë sakrifikuar gjithçka për të dhe vëllain e motrën e tij. Michael ka shtuar se sekreti i vetëbesimit qëndron tek fakti se e ka kuptuar më në fund se nuk mund të bësh çdo njeri të lumtur.