53 mijë persona dhe 12 300 automjete kanë hyrë në Shqipëri në datën 4 gusht.
Janë këto shifrat e fluksit në pikat kufitare që ka publikuar policia rrugore.
Kjo ka bërë që policia rrugore të ndërmarr masa shtesë për të siguruar për mbrojtjen qytetarëve.
Këto detaje janë ndarë nga kreu i Policisë Rrugore, Mitat Tola në një konferencë për mediat.
"Vetëm në datën 4 Gusht nga Pikat e Kalimit Kufitar kanë hyrë në territorin e Shqipërisë mbi 53 mijë shtetas dhe kanë tranzituar po në këto pika për në Shqipëri mbi 12.300 mjete. Për 3 ditë Drejtoria e Policisë Rrugore - falë bashkëpunimit intesiv me radiot me shtrirje kombëtare - komunikoi informacion të detajuar tek drejtuesit e mjeteve në lidhje mbi rrjedhshmërinë e trafikut, ngarkesën dhe bllokimet ose ngadalësimet e tij, si dhe rrugët alternative kur pati mbingarkesë.
Gjithashtu nëpërmjet mediave lokale dhe rrjeteve sociale, 12 drejtuesit e shërbimeve të Policisë Rrugore komunikuan dhe do të vijojnë ta bëjnë këtë, për çdo sqarim dhe kërkesë të qytetarëve në lidhje me informacionin për trafikun", deklaron Tola
Krahas menaxhimit të lëvizjes, në kuadër të parandalimit të ngjarjeve me pasoja të rënda në akset rrugore, gjatë fundjavës janë arrestuar 58 shoferë.
"Nga këta 21 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 37 për mungesë të lejes së drejtimit. Policia ka pezulluar gjithashtu 254 leje drejtimi, për tejkalim të limiteve të shpejtësisë dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit etj. Për mbi 7.800 drejtues mjeti janë vendosur masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, sidomos për parakalime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskove mbrojtëse dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve", njofton kreu i policisë