Tashmë kemi hyrë në sezonin turistik. Gjatë ditëve të nxehta dhe vazhdimisht në fundjavë kur të gjithë drejtohen drejt bregdetit rëndohet edhe trafiku.
Fundjava nënkupton ditën e shtunë dhe të dielë e cila fillon në orën 00:00 të së shtunës dhe përfundon në orën 24:00 të ditës së dielë.
Në një udhëzim të përbashkët ministrat Damian Gjiknuri dhe Fatmir Xhafaj kanë bërë publike edhe oraret ku bëhet bëhet fjalë për kufizim të qarkullimi të mjeteve jashtë qendrave të banuara.
Në njoftimin për mediat thuhet se ndalohen të qarkullojnë në oraret e përcaktuara në udhëzim, kursantët e auto-shkollave mësimore, transporti i mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7.5 ton, me ngarkesë të pandashme me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m, dhe makinat bujqësore dhe teknologjike.
Kufizimi i qarkullimit të këtyre mjeteve vlen nga data 15 qershor deri në 15 shtator dhe do të ketë këto orare.
Ditën e premte periudha e kufizuar do të jetë nga ora 15.00 deri në orën 22.00. Për ditët e fundjavës: të shtunën nga ora 08.00 deri në 12.00 dhe nga ora 16.00 deri në orën 22.00. Ndërsa e diela nga ora 07.00
deri në orën 22.00.
Ndërsa për ditët e festave zyrtare që përkojnë me sezonin turistik kufizimi i qarkullimit do të jetë nga ora 14.00 e ditës para festës, deri në orën 22.00 dhe nga ora 08.00 e ditës së festës deri në orën 24.00 të po asaj dite.