Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Forcave të Armatosura shqiptare 37 mjete të blinduara. Këto mjete përdoren kryesisht ndaj pritave apo kurtheve të minuara, ndërkohë që në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve të blinduara mori pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara, Leyla Moses-Ones, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së Bardhyl Kollçaku.
E ngarkuara me punë e SHBA-ve në vendin tonë, Leyla Moses-Ones vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon, dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes e konsiderojnë jo vetëm në favor të Shqipërisë, por edhe të aleancës.
“Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO, që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull sesi Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan. Nën drejtimin aktual, komunikimi dhe bashkëpunimi midis forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë, ndërsa shpërndarja e këtyre automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tonë”, tha Leyla Moses-Ones.