INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
SHBA, Obama kritikon ashpër Trumpin

SHBA, Obama kritikon ashpër Trumpin

Publikuar më: 07:55 03-08-2016

Presidenti amerikan Barack Obama ka lëshuar kritikat ndoshta më të ashpra ndaj kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, teksa është shprehur se ai është i papërshtatshëm për këtë post, si dhe ka ngritur pikëpyetje nëse partia e tij e mbështet ende kandidimin e miliarderit njujorkez.

“Ka ardhur momenti, në të cilin kushdo mund dhe duhet të thotë: Mjaft!”, u shpreh Obama. Kandidati republikan Trump është kritikuar ashpër për sulmin ndaj prindërve të një ushtari amerikan të ndjerë, prindër që folën hapur kundër tij.

Trump është dënuar gjithashtu edhe për mbështetjen që i ka dhënë aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.

Obama, gjatë një konference të dhënë nga Shtëpia e Bardhë, tha se vërtet ka pasur dallime në politikat e ndjekura prej tij krahasuar me presidentët e kaluar republikanë apo kandidatët e tyre, por shtoi se kurrë nuk ka menduar se ata nuk do ta bënin më së miri detyrën si president të SHBA-ve.

Gjatë Konventës Kombëtare Demokratike të javës së kaluar, Khizr Khani mysliman, djali i të cilit mbeti i vrarë teksa shërbente si ushtar amerikan në Irak, kritikoi planin e Trumpit për të ndaluar përkohësisht futjen e myslimanëve në SHBA.

Trump u kundërpërgjigj duke sulmuar familjen “Gold Star”, një term që përdoret për familjarët e atyre amerikanëve që kanë humbur jetën në një luftë. Udhëheqës demokratë dhe republikanë, sikurse edhe grupe të veteranëve të luftës, e dënuan menjëherë këtë sulm të manjatit të pasurive të paluajtshme.

“Kandidati republikan është i papërshtatshëm për të shërbyer si president dhe më e forta është se ai vijon ta provojë këtë gjë”, tha Obama këtë të martë. “Fakti që ai mund të sulmojë një familje ‘Gold Star’, e cila ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme, nënkupton që ai është mjerisht i papërgatitur për ta kryer këtë detyrë”.

Obama ngarkoi me detyrë edhe udhëheqësit republikanë, të cilët janë përplasur vazhdimisht me Trumpin mbi deklaratat e tij dhe politikat ndaj grave, emigrantëve të paligjshëm (pa dokumente), si dhe myslimanët.

“Çfarë nënkupton kjo në lidhje me partinë tuaj? Që ky është bartës i standardeve tuaja?”, ishte pyetja e Obamës drejtuar më të mëdhenjve të Partisë Republikane. “Kjo nuk është një situatë, në të cilën është bërë një gafë episodike, por është një gjë e përditshme dhe e përjavshme, kohë gjatë të cilës ata janë duke u vetëdistancuar nga deklaratat që po bën manjati”.

Krerët më të lartë republikanë, siç janë edhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, si dhe kreu i shumicës në Senat, Mitch McConnel, kanë qenë gjithashtu kritikë të ashpër ndaj Trumpit, por miliarderi ka vijuar të marrë mbështetjen e tyre.

Article Logic
Execution time: 0.0038688182830811