INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
SHBA thirrje opozitës: Përgjegjësi të merrni pjesë në zgjedhjet e qershorit

SHBA thirrje opozitës: Përgjegjësi të merrni pjesë në zgjedhjet e qershorit

Publikuar më: 12:07 09-04-2019

Ditën e dytë të vizitës në Tiranë zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Mattheë Palmer e ka nisur me një bashkëbisedim me gazetarët, ku ka theksuar se të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ai i bëri thirrje opozitës të marr pjesë në zgjedhje duke e konsideruar qeverinë legjitime.

“Opozita duhet të përfshihet në dialog për reformën zgjedhore. Nuk është zgjidhje djegia e mandateve nga opozita, duhet gjetur një mënyrë për të marr pjesë në zgjedhje. Do të ishte fatkeqësi nëse opozita nuk do të merrte pjesë në këtë proces demokratik”, u shpreh Palmer.

Ndër të tjera ai ka theksuar se opozita duhet të bindë elektoratin që të vijë në pushtet nëpërmjet votës.

“Është përgjegjësi e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ajo duhet të ndajë vizionin e saj me mbështetësit dhe të punojë fortë. Vetëm në këtë mënyrë mundet të fitojë në arenën politike. Nuk është detyrë e qeverisë që të bindë opozitën të hyjë në zgjedhje”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan.

Palmer ka folur edhe për kërkesat e opozitës, e cila nuk ka ndërmend të brakistë rrugën e nisur me protesta deri në momentin që krijohen kushtet për zgjedhje të parakohshme, ose qeveri tranzitore.

“Shqipëria ka një qeveri legjitime me të cilën ne bashkëpunojmë. Jeni një vend aleat dhe qeveria do të ketë suportin tonë. Jam konfident se kjo qeveri do të çojë vendin përpara dhe do vazhdojë me zbatimin e reformave si ajo në drejtësi”, ka thënë Palmer.

Ditën e djeshme Palmer u takua me kryeministrin Rama, ndërsa takim do të ketë si me kryedemokratin Basha por edhe me presidentin Meta.

Article Logic
Execution time: 0.0035989284515381