Donald Trump shihet si kandidati më i mundshëm republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ai ka fituar dhe në votimet në Nevada, duke i lënë shumë pas pretenduesit e tjerë republikanë.
Kjo është fitorja e tretë radhazi e Trump-it në votimet në shtetet amerikane, dhe i çimenton pozitat e tij pavarësisht retorikës së ashpër, që rezulton të jetë e pëlqyeshme për një pjesë të mirë të votuesve.
Marco Rubio-s dhe Ted Cruz-it, dy republikanëve të tjerë kandidatë, nuk u mbeti gjë tjetër, veçse të luftojnë mes tyre për vendin e dytë, pasi votat i dhanë Trump-it një fitore të padiskutueshme.
“Ne jemi duke fituar, duke fituar, duke fituar vendin, dhe vendi shpejt do të nisë të fitojë,” qenë fjalët e Trump-it para një turme mbështetësish pas fitores.
Mes premtimeve të Donald Trump-it, ai më i fundit është për të mbajtur hapur burgun e Guantanamos nëse zgjidhet president. Premtimi i tij i kundërvihet planit më të fundit të Obama-s për ta mbyllur atë.