INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shenjtërimi i Nënë Terezës, kryebashkiaku Veliaj nderon me medalje dy organizata bamirësie [FOTO]

Shenjtërimi i Nënë Terezës, kryebashkiaku Veliaj nderon me medalje dy organizata bamirësie [FOTO]

Publikuar më: 11:15 04-09-2017

Në ditën e përvjetorit të shenjtërimit të humanistes shqiptare, Bashkia e Tiranës nderoi me medaljen e “Nënë Terezës” Fondacionin Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), e cila ndihmon fëmijët jetimë, si dhe Komunitetin Papa Giovani XXIII që ka në fokus individët ne situatë rruge.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi kontributin e këtyre dy organizatave bamirëse të cilat kanë ndihmuar njerëzit në nevojë në kapërcimin e vështirësive. "Jam posaçërisht i lumtur sot që, ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, nderojmë me medaljen e saj dy vëllezër, dy bashkëpunëtorë, dy komunitete vullnetarësh, bamirësish dhe njerëzish që me skuadrat e tyre bëjnë punë fantastike. Janë dy organizata me bazë besimi, njëra me besimin mysliman dhe tjetra me besimin e krishterë, por secila prej organizatave ka gjetur një shteg për të zgjidhur një problem", deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se dhënia e medaljeve për dy organizata me bazë dy besime të ndryshme, vjen në një moment kur më shumë se kurrë kemi nevojë të kujtojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë. “Secili mund të ketë mënyrën e vet sesi adhuron perëndinë, por kjo nuk është arsye për të mbjellë ndasi, nuk është arsye për të mbjellë sherr, nuk është arsye për të hapur një debat. Përkundrazi, secili në besimin e vet te ndihet i motivuar për të shërbyer”, shtoi ai.

Veliaj apeloi për më shumë bashkëpunim dhe ftoi qytetarët që të kontribuojnë në vepra të mira në ndihmë të njerëzve në nevojë. "Thirrja që kam për të gjithë bashkëqytetarët tanë është: përpara se të harxhojmë kohën duke kontribuar në ambientin toksik me helm virtual nëpër rrjete, duke u munduar të vëmë gishtin kush e lagu dhe kush nuk e lagu, le të bëjmë atë që bëjnë organizatat si Papa Xhovani edhe ALSAR, pra të gjejmë një mundësi për të ndihmuar. E gjithë kjo energji nëse transformohet në ndihmë ndaj njerëzve në nevojë, nëse transformohet në bashkëpunim, në mirësi e bamirësi, është ndoshta mënyra më e mirë për të kapitalizuar energjinë dhe vitalitetin e popullit tonë", u shpreh Veliaj.

Duke vlerësuar mesazhin e bashkimit që përcjell Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Veliaj u shpreh se harmonia fetare nuk duhet marrë si e mirëqenë, por duhet kuruar çdo ditë. "Mesazhi i Skënderbeut është të rrimë bashkë. Duke qenë bashkë, si sot, japim mesazhin e duhur. Të gjithë u ndjemë krenare kur para pak muajsh në Paris, krerët e besimeve të Shqipërisë parakaluan dhe u duartrokitën nga gjithë civilizimi perëndimor për atë harmoni. Harmonia fetare nuk është diçka që e marrim të mirëqenë, është diçka që duhet ta kurojmë përditë", theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se shqiptarët janë të destinuar të bashkëjetojnë e të bashkëpunojnë së bashku. "Duhet të kemi parasysh qe të gjitha momentet e ndritura të historisë tonë kanë ardhur kur kemi qenë bashkë. Pra nëse jemi bashkë dhe nuk i nxjerrim sytë njëri-tjetrit me çështje pa vlerë, atëherë sigurisht mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme", u shpreh kreu i bashkisë.

 

Veliaj_per_diten_e_pervjetorit_te_shenjterimit_te_Nene_Terezes_2.jpg

Veliaj_per_diten_e_pervjetorit_te_shenjterimit_te_Nene_Terezes_1.jpg

Veliaj_per_diten_e_pervjetorit_te_shenjterimit_te_Nene_Terezes_3.jpg

 

Article Logic
Execution time: 0.0037961006164551