INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shënohen rastet më të larta me COVID-19 në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë

Shënohen rastet më të larta me COVID-19 në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë

Publikuar më: 10:37 15-06-2020

Për të disatën ditë me radhë numri i rasteve me COVID-19 në vendin tonë ka ardhur duke u rritur. Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 319 testime nga të cilat kanë rezultuar me COVID-19, 69 personave.

Në komunikimin e përditshëm me publikun, dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha se me gjithë shifrën e lartë të rasteve të regjistruara, kjo nuk krahasohet me pikun e epidemisë kur vendi ndodhej në karantinë dhe kontaktet mes njerëzve ishin shumë të pakta.

“Gjatë javës së fundit ka rezultuar rritje e numrit të rasteve të identifikuara pozitive, ka një rritje të të shtruarve në spital por qëndrueshmëri sa i takon fataliteteve. Kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore.

Por duhet theksuar se kjo periudhë nuk mund të krahasohet me periudhën e pikut nën efektin e masave të karantinës, për vetë faktin se kemi kohë më të gjatë ekspozimi dhe numër më të lartë kontaktesh gjatë aktiviteteve rutinë të ditës, ku aktualisht 97 % e subjekteve janë në aktivitet.

Për këtë arsye, duhet kujdes i shtuar për zbatimin e rregullave”, tha ajo.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: Tirana 28 të prekur, 16 në Shkodër, 8 raste pozitive në Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Durrës, 2 në Elbasan, dhe nga 1 rast në Kamëz, Mallakastër, Pukë dhe Lushnje.

Ndërkohë që janë në hetim disa raste të reja në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Kamëz dhe Durrës.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 11 qytetarë mes të cilëve 2 personel shëndetësor, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1055.

Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 60 vjeç, mbi 60 % e tyre janë nga Tirana.

Në vendin tonë janë aktualisht 499 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

“Nisur nga fakti se ditët e fundit po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.

Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura:

Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse kur nuk mund te ruhet distanca fizike, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për barnat me rimbursim apo pyetje në lidhje me Covid19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127”, tha z. Tomini.

COVID-19 – Statistika (15 Qershor 2020)

Testime totale 20813

Raste pozitive 1590

Raste të shëruara 1055

Raste Aktive 499

Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 249

Shkodër 68

Krujë 63

Kamëz 27

Durrës 25

Vlorë 21

Lushnje 13

Pukë 11

Elbasan 6

Article Logic
Execution time: 0.0033631324768066