Te Zvicra ka një përplasje në distancë mes dy lojtarëve me origjinë shqiptare, sa i përket shiritit të kapitenit. Aktualisht është Granit Xhaka njeriu që drejton helvetët në fushën e lojës, por Xherdan Shaqirit nuk i ka pëlqyer shumë vendimi.
Madje sipas asaj që raportuan mediat zvicerane, do të ishte kjo arsyeja e refuzimit së ftesës në ndeshjet e fundit. Pra, Shaqiri kërkon të bëhet kapiten i Zvicrës dhe deri në momentin që kjo nuk do të ndodhë, atëherë nuk grumbullohet me Kombëtaren, raporton shqipëria.ch.
Granit Xhaka u ngacmua nga gazetarët në lidhje me këtë çështje, duke dhënë për herë të parë një përgjigje të hapur dhe “shuplakë” të fortë për Shaqirin: “E kam takuar për herë të fundit në ndeshjen me Arsenalin dhe Liverpulin. Por ende nuk kishte dalë kjo çështja, u mësua më vonë. Nëse vërtet është problemi i shiritit të kapitenit, le të ulemi në një tryezë. Unë dhe ai. Mendoj se jemi aq të rritur për të folur së bashku. Nëse është ky vërtet problemi, atëherë unë do t’ia jap shiritin dhe do të jetë ai kapiteni. Pa asnjë problem. Për mua nuk ka rëndësi nëse jam apo jo kapiten. Mundohem të bëj më të mirën për skuadrën me ose pa shiritin e kapitenit”, ka thënë Xhaka.