Vizita historike e presidentit Obama në Kubë është mbyllur me një episod që po “bën namin” në rrjetet sociale. Në përfundim të takimeve zyrtare, Obama dhe presidenti Raul Castro dolën në një konferencë të përbashkët shtypi.
Dy liderët njoftuan firmosjen e disa marrëveshjeve që kanë për synim të nxisin bashkëpunimin dhe investimet mes dy vendeve. Në një moment, Obama duket se tentoi ta përqafonte Castron, por ky i fundit e shmangu një gjë të tillë, duke e lënë presidentin amerikan me krahë në ajër.
Të dy e kaluan këtë moment me buzëqeshje, por në mediat sociale ky “incident” është bërë temë ironie dhe komentesh pa fund. Obama është i pari president amerikan që viziton ishullin komunist në 88 vitet e fundit.