INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shkarkohet Devi Muka, lajmin e konfirmon vetë presidenti i Tiranës

Shkarkohet Devi Muka, lajmin e konfirmon vetë presidenti i Tiranës

Publikuar më: 16:13 18-06-2017

Devi Muka nuk është më drejtor i Tiranës. Klubi bardheblu, që do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, dje ka prezantuar për publikun projektin e ri, trajnerin e ri dhe njëkohësisht drejtorin e ri.

Në konferencën e djeshme për shtyp, ku presidenti Refik Halili ka folur për gjithçka, binte në sy mungesa e Devi Mukës.

 

Ish-lojtari i njohur bardheblu dhe së fundmi drejtor sportiv nuk ka qenë i pranishëm, duke hedhur menjëherë dyshimet e para se çfarë kishte ndodhur me Mukën.

ÇËSHTJA
Ka qenë vetë presidenti Halili që ka sqaruar për gazetarët se çfarë kishte ndodhur me vlonjatin. “Muka nuk do të jetë më drejtor sportiv i Tiranës. Por, ai do të ketë një pozicion tjetër në klub”. Duket se trajneri i larguar Mirel Josa dhe drejtori sportiv Devi Muka kanë marrë një pjesë të përgjegjësisë për rënien e skuadrës për herë të parë në histori në Kategorinë e Parë.

Pavarësisht se në të ardhmen mund të ketë një pozicion të ri për Mukën, ajo që mbetet e dyshimtë është nëse do ta pranojë vlonjati atë çfarë do t’i afrojë Halili apo jo. Mungesa e tij në daljen e parë të drejtuesve të Tiranës që prezantuan edhe projektin për sezonin e ri nuk duket pozitive.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me një prej lojtarëve që ka dhënë shumë për atë skuadër, ku së fundmi kishte marrë edhe një post shumë të rëndësishëm si drejtor sportiv. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë pasur një krisje mes Halilit dhe Mukës për gjendjen në të cilën përfundoi skuadra.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë dje me Mukën për vendimin më të fundit të presidentit Halili, por ish-drejtori nuk ka pranuar të reagojë. Në këto ditë të para vere, duket se trajneri Mirel Josa dhe drejtori Muka janë konsideruar përgjegjës në aspektin sportiv për gjithçka ndodhi me ekipin duke sjellë largimin e të dyve.

Gjithsesi, për Mukën do të shihet në vazhdim nëse do të pranojë ofertën e Halilit për një pozicion tjetër ose jo. Presidenti i klubit lajmëroi ndryshime të shumta në klub dhe në Akademinë bardheblu. Tirana po nis një epokë të re, ku do të luftojë fort për rikthimin në elitë.

Article Logic
Execution time: 0.0036458969116211