INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shkelet armëpushimi në Siri

Shkelet armëpushimi në Siri

Publikuar më: 08:55 29-02-2016

Rebelet anti-qeveritarë, por edhe Rusia kanë raportuar për shkelje të armëpushimit në Siri, në ditën e dytë të nisjes së tij. Sipas aktivistëve aeroplanët rusë kanë sulmuar disa vende në veri të Sirisë. Nga ana tjetër Rusia nuk ka konfirmuar ndonjë fluturim të dielën dhe thotë se ka identifikuar edhe nëntë shkelje të armëpushimit.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, avionët ushtarakë kanë vënë në shënjestër disa fshatra në Perëndim të Aleppo. Nuk është mësuar ende nëse avionët ishin rusë apo sirianë.

Një organizatë monitoruese me bazë në Britani tha se të paktën gjashtë fshatra ishin objekt i sulmeve ajrore, por ende është e paqartë nëse sulmet u kryen në zonat që ishin pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia që hyri në fuqi të shtunën filloi me disa incidente dhune, por i dërguari i OKB-së për Sirinë thotë se dita e parë e armëpushimit ishte “pozitive”.

Staffan de Mistura, I dërguari i posaçëm OKB-së për Sirinë

“Ne do të verifikojmë mekanizmat tanë, por sidomos ato të amerikanëve dhe rusëve të cilët janë duke punuar në këtë çështje, në mëmyrë që ne jo vetëm t’i verifikojmë por edhe t’i kontrollojmë incidentet. Incidentet nuk janë një gjë e mirë. Por, ajo që na preokupon është shtimi ose përsëritja e tyre, dhe deri më tani, unë mendoj se ne i kontrollojmë mirë incidentet”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama tha në fjalimin e tij të përjavshëm se territori i Shtetit Islamik në Siri është duke u zvogëluar. Ai tha se numri i luftëtarëve në fushën e betejës është duke u pakësuar dhe është bërë më e vështirë për xhihadistët që “të rekrutojnë dhe të plotësojnë radhët e tyre.”

Article Logic
Execution time: 0.0036799907684326