Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një lokal në fshatin Beltojë, ku pas një konflikti të çastit mes disa të rinjve ka mbetur i plagosur rëndë me armë zjarri 21-vjeçari Edmir Nilaj.
Policia e Shkodrës njofton se plagosja ka ndodhur sot rreth orës 03:35. Sipas bluve, ka ardhur një telefonatë në sallën operative se në një lokal në afërsi të fshatit Beltojë, është një person i plagosur.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë ku kanë konstatuar se pas një konflikti të çastit me persona akoma të paidentifikuar, ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi E. N, 21 vjeç, banues Vekel, Malësi e Madhe.
Sakaq, janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po punohet për kapjen e autorëve. Paraprakisht dyshohet se autor i plagosjes mund të jetë truproja i lokalit, Admir Dekovi.
Në vendgjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.