Bie Vllaznia, shpëton Kamza, ndërsa Luftëtari dhe Laçi sigurojnë kualifikimin në Europa League.
Fitorja me goleadë në Korçë përballë Skënderbeut me shumë mungesa dhe me mendjen te festa e titullit por edhe te finalja e Kupës, nuk i vlejti aspak Vllaznisë që u rrëzua zyrtarisht një kategori më poshtë. Për herë të tretë në historinë, klubi më i vjetër i futbollit shqiptar do të luajë në një kategori inferiore. Rënia e Vllaznisë erdhi si pasojë e fitores së Kamzës që me një gol të Rezit në minutat e para të pjesës së dytë triumfoi 1-0 brenda në Selman Stërmasi ndaj Partizanit duke ruajtur avantazhin prej 2 pikësh ndaj kuqebluve në renditje.
Vllaznia në krahun tjetër dominoi Skënderbeun në Korçë duke realizuar 4 herë në portën e Aldo Teqjas për një sukses me shifrat 5-1, me gola të Xhevahir Sukajt me penallti, Arlind Kalaja-s, 2 golësh të Eraldo Cinarit dhe finalizimin e Renato Malotës. Golin e vetëm për Skënderbeun e realizoi Nazmi Gripshi.
Nuk kanë munguar as lotët. Tifozeria korçare i ka ardhur në ndihmë shkodranëve në këtë moment të vështirë dhe në stadium janë dëgjuar thirrjet në kor Vllazni, Vllazni.
Erion Vucaj ka shkuar nga tifozët e Skënderbeut për t’i falënderuar për mbështetjen, ndërkohë pas këtij momenti lojtarët janë larguar me kokën ulur dhe me lotë në sy nga stadiumi.
vllazna from Elton Cara on Vimeo.