INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shkolla ‘Kosova'/ Veliaj: I kthyem nxënësve një hapësirë që donin ta bënin pallat

Shkolla ‘Kosova'/ Veliaj: I kthyem nxënësve një hapësirë që donin ta bënin pallat

Publikuar më: 12:39 28-08-2018

Nga administrata e shkuar në Bashkinë e Tiranës trualli i shkollës 9-vjeçare “Kosova” ishte përcaktuar të bëhej pallat. Por, sot, 3 vjet më vonë, ajo është gati të presë deri në 400 nxënës, si shkolla më moderne dhe më e bukur e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh i emocionuar se shkolla e rindërtuar do të çelë dyert në shtator, me kapacitet të shtuar dhe me të gjitha hapësirat e nevojshme për të qenë shkolla model në vend. Ai theksoi se kjo është shkolla e katërt e re që i shtohet Tiranës, pas shkollës “Betim Muço” në Kombinat, “Hasan Tahsin” në Njësinë 8 dhe “Ardian Klosi” në Njësinë 4, të cilat pritën nxënësit shtatorin e kaluar.

“Sapo mbaruam inspektimin përfundimtar të asaj që unë besoj se është shkolla më e bukur në Shqipëri, shkolla “Kosova”. Jam i emocionuar sepse ka qenë shkolla ime, porse është edhe shkolla e katërt që ndërtojmë në Tiranë, ende pa hyrë në vitin tonë të katërt në bashki, çka s’ka të krahasuar me mandatin para nesh kur nuk u ndërtua asnjë shkollë e re në Tiranë. Ajo që më gëzon më shumë është fakti se pas shkollës së katërt, popërfundojmë edhe shkollën “Servete Maçi” e do të nisim 17 të tjera me projektin tonë të shkollave me partneritet publik-privat, të cilat do të zhdukin një herë e mirë mësimin me dy turne”, tha Veliaj.

Ai theksoi se shkolla e re “Kosova” vjen si një shkollë 9 vjeçare, duke bërë të mundur që në disa prej shkollave të tjera në Njësinë 2 të ulet numri i nxënësve në klasa, si dhe të shmanget mësimi me dy turne. “Shkolla e parë që çlirohet nga turni i dytë është shkolla ‘Kosova’, shkolla ime e vjetër, shkolla e shumë personazheve në Tiranë. Ka disa lajme të mira që vijnë me shkollën e re: nga 4-vjeçare ajo bëhet shkollë 9-vjeçare; kemi shumëfishuar hapësirën, pra jo vetëm me 18 klasa, por ka mjedise për psikologun, për dentistin, hapësira për evente dhe organizime, ka një palestër shumë të madhe, që nuk e kishte më parë, ka rampat për personat me aftësi të kufizuar. Po ashtu, kemi fituar edhe një trotuar të ri në Rr. e “Elbasanit”, ku më parë ishte si një shteg dhish, ku prona ishte e kufizuar me llamarinë, por mbi të gjitha shkolla përfaqëson një filozofi të re”, tha kryebashkiaku.

Veliaj solli ndërmend faktin se shkolla “Kosova” i rikthehet sot nxënësve, por pak vite më parë ishte parashikuar të bëhej pallat. “Kjo ishte një shkollë, e cila u prish në një mënyrë të paprecedentë. Bashkia e kaluar donte të ndërtonte pallat, por ne e kthyem në identitet, e bëmë sërish shkollë. Në fund të ditës nuk janë llafet e gam-gamet ajo që tregon çfarë vendimesh kemi marrë, por projektet që ngelen në fund. Projektet tregojnë se për çfarë parimesh qëndrojmë; nëse qëndrojmë për një qytet ku s’u ndërtua një shkollë, një kopsht e një çerdhe, apo nëse qëndrojmë për një qytet që do të trashëgojë nga kjo administratë një “pajë” të paprecedentë në infrastrukturën arsimore”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kreu i bashkisë theksoi se standardi dhe cilësia e punimeve që janë realizuar në këtë shkollë janë një garanci më shumë se edhe godina e re e Teatrit të ri Kombëtar, do jetë një godinë moderne dhe që do të pëlqehet nga të gjithë. “Nëse dikush do të na bashkohet për ditën e parë të shkollës dhe është skeptik se çfarë do të ndodhë me teatrin e ri, mjafton të krahasojë shkollën e vjetër “Kosova” me shkollën e re “Kosova”, për të hapur vizionin e tyre se çfarë potenciali ka, që në vend të një teatri të vjetër, të rrënuar, të kemi një teatër të ri. Besoj për të gjithë ata që kanë prekur me dorë dhe kanë parë punët në Tiranë, nuk mund të thonë dot mos ma prek atë, mos ma prek këtë. Gjërat ndryshojnë kur i prek me dorë, kur vë dorë, nuk ndryshojnë duke ruajtur karakatina të cilat s’kanë asnjë vlerë dhe gjithnjë e më shumë po e largojnë publikun nga institucionet, qofshin këto arsimore apo kulturore”, u shpreh Veliaj.

Shkolla 9-të vjeçare “Kosova” është një godinë me 4 kate, 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ku është vendosur biblioteka e shkollës, një sallë leximi, si dhe një zonë për ruajtjen e librave. Gjithashtu, disa ambiente të shkollës, si auditoriumi, do të jenë edhe në shërbim të komunitetit. Shkolla ka laboratorë dhe të gjitha lehtësirat e tjera për procesin mësimor, ndërsa tarraca është e gjelbëruar, kurse fasadat janë veshur me elementë hidroizolues dhe termoizolues.

Article Logic
Execution time: 0.0046830177307129