INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shoqëria civile e vendosur të bllokojë “lojrat” tek liqeni!

Shoqëria civile e vendosur të bllokojë “lojrat” tek liqeni!

Publikuar më: 15:28 20-03-2016

Agjencia BIRN ka analizuar situatën sa i përket ndërtimit të parkut të lojrave tek liqeni, përball ka venë ata, që janë pro e ata që janë kundra. Pra Bashkinë dhe shoqërinë civile. Në fokusin e shkrimit është rezistenca, që po bën shoqëria civile.

Ja shkrimi i plotë:

Pas qarkullimit të pamjeve të ndërhyrjes me beton në kantierin e Parkut të Liqenit në Tiranë pasditen e së mërkurës, një grup aktivistësh mjedisorë nga nisma, Për Publiken shkruan në vendngjarje dhe organizuan një protestë ‘sit-in’, ku kërkuan ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Aktivistët, të cilët e kanë kundërshtuar që prej fillimit ndërtimin e parkut të lodrave nga ana e Bashkisë tentuan të ngrinin çadra ku do të kalonin natën, por ata nuk u lejuan nga ana e Bashkisë dhe e kaluan natën nën qiell të hapur me batanije të ofruara nga mbështetës.
“Ne u ndamë në dy grupe (sipas angazhimeve të punës që bëjmë për të siguruar jetesën) një ditën dhe një grup natën dhe vendosëm që të qëndronim si akt rezistence në vendin e (masa)krimit të parkut,” tha për BIRN, Mirela Ruko, aktiviste.
“Ne jemi kundër tjetërsimit të parkut dhe kemi kërkuar menjëherë ndalimin e punimeve në park. Ky kënd lodrash i betonizuar mund të jetë fillimi i urbanizimit të kësaj zone të gjelbër të Tiranës,” shtoi ajo.
“Nuk do të ndalojmë kundërshtimin tonë për këtë projekt derisa Bashkia të plotësojë kërkesat tona, të cilat ia kemi dorëzuar një javë më parë, por që nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, përfundoi Ruko.
Më 10 mars, Bashkia mbajti një seancë të mbyllur me aktivistët mjedisorë, të cilën këta të fundit e braktisën pasi dorëzuan kërkesat e tyre. Ata kërkuan ndalim të punimeve, bërjen transparente të projektit dhe mbajtjen e dëgjesave me publikun.
Në orët e para të së enjtes, kur rreth 15 aktivistë kaluan natën për të ruajtur parkun u regjistrua një incident dhune mes drejtuesve të kompanisë së skelave, që ka rrethuar kantierin dhe aktivistëve mjedisorë.
“Rreth orës 1 të mbrëmjes, dy pronarë të kompanisë të skelave më dhunuan me grushte dhe shkelma dhe më kërcënuan me vdekje pasi ne konstatuam mbërritjen e tyre në kantier,” tha për BIRN, Eljan Tanini, një nga aktivistët mjedisorë.
“Projekti është një mashtrim i qyetarëve, ka ndërhyrje në park me beton dhe probleme me ligjin. Megjithatë ne i kemi kërkuar vazhdimisht Bashkisë të ndalojë punimet dhe të konsultohet me publikun dhe shpresojmë që të gjejmë gjuhën e përbashkët me institucionin” shtoi Tanini.
Ditën e enjte, aktivistët e nismës, Për Publiken i dërguan Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës kërkesa për ndalimin e punimeve dhe verifikimin e procedurave standarde të projektit.
“Në dijeninë tonë nuk ka një leje mjedisore dhe një vlerësim të ndikimit në mjedis për ndërhyrjen në fjalë dhe Bashkia Tiranë ka shkelur procedurat e zbatimit në këtë projekt” shkruhej në letrën e dërguar ministrit të mjedisit Koka.
“Kërkojmë të respektohet legjislacioni vendas dhe konventa ndërkombëtare e Aarhus mbi vendimmarrjen mjedisore dhe të merren masa për ndërprerjen e punimeve”, përfundonte letra.
Në letrën e dërguar Këshillit Bashkiak, aktivistët mjedisorë i kërkuan organit të qeverisjes vendore sigurimin e respektimit të ligjeve dhe transparencën me publikun.
“Ju kërkojmë si përfaqësues të zërit qytetar brenda institucionit të Bashkisë së Tiranës, që të siguroheni për respektimin e ligjeve dhe rivendosjen e komunikimit transparent dhe konstruktiv me qytetarët. Kërkojmë pezullimin e punimeve dhe nisjen e procedurës për këshillimin me publikun sipas ligjeve për të drejtën e informimit dhe konsultimeve publike,” thuhej në letrën e dërguar Këshillit Bashkiak.
“Ne dënojmë mungesën e transparencës nga institucioni i Bashkisë Tiranë mbi projektin në fjalë si dhe dhunën e ushtruar ndaj aktivistëve protestues nga ana e Policisë Bashkiake. U bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit Bashkiak të kthejnë shtetin ligjor dhe demokratik brenda institucionit të Bashkisë Tiranë” përfundonte letra.
Mazhoranca e Këshillit Bashkiak të Tiranës përbëhet nga opozita dhe nga anëtarë të partisë bashkëqeverisëse Lëvizja Socialiste për Integrim. Opozita e ka denoncuar si të paligjshëm ndërtimin e këndit të lodrave ndërsa kreu i parlamentit dhe njëkohësisht kryetari i LSI ka bërë thirrje për transparencë në projekt.
Një bashkëpunim i mundshëm midis PD dhe LSI në Këshilin Bashkiak për ta kontestuar projektin ka shtuar shpresat te aktivistët se procesi mund të pezullohet dhe të rifillojë atëherë kur të jetë plotësuar të gjithë kërkesat ligjore.
“Ne kemi shpresa për ndryshime në projekt,” tha për BIRN Eljan Tanini, aktivist mjedisor.
Të shtunën në orën 11:00 aktivistët dhe qytetarët do të organizojnë një marshim masiv nga Bashkia e Tiranës drejt Parkut të Liqenit për të kundërshtuar ndërhyrjen e paligjshme të bashkisë në park dhe për të kërkuar pezullimin e punimeve.
11 organizata mjedisore denoncuan një javë më parë shkeljet mjedisore të projektit dhe i kërkuan Bashkisë Tiranë të ndalojë ndërtimin që sipas tyre shkel disa ligje vendase dhe konventa ndërkombëtare.

Article Logic
Execution time: 0.0036399364471436