E teksa eventi i përvitshëm i Billboard Music Awards po afrohet, janë bërë tashmë publike kandidaturat kryesore si dhe prezantuesit e tij.
Këta të fundit do të jenë dyshja simpatike e artistëve, Ludacris dhe Ciara, të cilët teksa kanë prezantuar dje në studiot GMA në New York finalistët e këtij viti, janë shprehur entuziastë për këtë eksperiencë të re krah njëri-tjetrit. Dhe as këtu nuk munguan surprizat dhe “konfliktet e interesit”. Pikërisht ashtu pasi reperi Future ishte një nga të nominuarit në kategorinë e “Artistëve Më Të Mirë Rap”. Ndërkohë Ciara që po lexonte nominimet, imazhi i ish bashkëshortit të saj Future u shfaq, dhe ajo refuzoi ta lexonte duke detyruar Ludacris që të ndërhynte. Në këtë mënyrë konfirmon marrëdhëniet ende të tensionuara mes ish çiftit.
Por ndalemi tek të kandiduarit pasi mbrëmja e 22 majit duket se do të jetë nata e kanadezit The Weeknd, i cili kryeson listen me plot 16 nominime. Megjithatë të njëjtin fat mund të ketë edhe Justin Bieber, i cili është i kandiduar në 12 kategori. Të tjerë artistë që pasojnë listën janë Drake dhe Fetty Wap me nga 11 nominime, si dhe Adele me Taylor Swift të cilat këtë edicion do të luftojnë njëra-tjetrën në 8 kategori. Çfarë nate pritet të jetë!