INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shpërblimet për Vitin e Ri, ja sa është shuma dhe kategoritë që përfitojnë

Shpërblimet për Vitin e Ri, ja sa është shuma dhe kategoritë që përfitojnë

Publikuar më: 11:24 10-12-2016

 Në skemën e shpërblimeve për këtë vit prioritet janë pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe qytetarët me status të veçantë invaliditeti. Lajmin për shpërblimet me rastin e festave, Qeveria gjithmonë e ka dhënë me anë të një vendimi të posaçëm që nxjerr për fundvitin.

Shpërblimi për pensionistët për këtë vit do të jetë në masën 2500 lekë, ndërsa për pensionistët kryefamiljarë do të jetë 3 mijë lekë. Gazeta Panorama zbardh të plotë vendimin me kategoritë që do të përfitojnë shpërblimin e fundvitit. Përfitues do të jenë 650 mijë pensionistë. Ndërsa punonjësit e administratës nuk përfshihen në skemën e shpërblimeve, qeveria është duke diskutuar për përzgjedhjen e disa punonjësve të administratës në sektorët e arsimit dhe mjekësisë, që do t’u shpërndajë bonus për merita të veçanta, ashtu siç bëri edhe vjet.

Nga shpërblimi i fundvitit do të përfitojnë 650 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Përfitues do të jenë të gjitha kategoritë e pensionistëve, të cilët do të marrin 2500 lekë shpërblim, ndërsa pensionistët kryefamiljarë 3 mijë lekë. Sipas vendimit të posaçëm që qeveria nxjerr çdo fundviti, përfitues të shpërblimit janë rreth 372.932 pensionistë, që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, si dhe 145.580 pensionistë që marrin pension fshati

Përfitues do të jenë edhe 10600 pensionistë, që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Efektet financiare për shpërblimet e 650 mijë pensionistëve do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2016, për skemën e sigurimeve shoqërore në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Sipas vendimit të posaçëm që Qeveria nxjerr për shpërblimet e fundvitit, përfitues të shpërblimit do të jenë edhe 81 mijë kryefamiljarë që përfitojnë nga skema e energjisë elektrike, si dhe 68 mijë kategori të veçanta në statusin e personave me aftësi të kufizuara. Përfitues të skemës së shpërblimeve për fundvit do të jenë edhe 3,595 persona që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake. Vlera e shpërblimit për këto kategori do të jetë 2,5 mijë lekë deri në 3 mijë lekë. Ndërsa efektet financiare për shpërblimet e familjeve që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike dhe personat e verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë efektet financiare përballohen nga zëri “Ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë”, miratuar në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Për këtë vit, Qeveria nuk parashikon të përfshijë në skemën e shpërblimeve buxhetorët, ndërsa është duke u diskutuar shpërndarja e “bonuseve” për merita të veçanta. Vjet, Qeveria zgjodhi të shpërblente mjekët, infermierët dhe mësuesit si kategori me merita të veçanta. Shpërblimi për mjekët dhe mësuesit ishte 40 mijë lekë, ndërsa për infermierët 30 mijë lekë. Për nxënësit ekselentë Qeveria shpërndau 40 mijë lekë shpërblim, ndërsa për studentët 50 mijë lekë.

Article Logic
Execution time: 0.0044538974761963