Lulzim Basha përsëriti se Partia Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet që ai i quajti fasadë.
Lulzim Basha në një takim me artistët, paraditen e sotme nga “Çadra e Lirisë”, ka folur për vrasjen e ish komisarit Artan Cuku, të cilin e vlerësoi si një kontribut në Policinë e Shtetit.
Por jo vetëm kaq, Basha vuri në dukje se akoma për vrasjen e tij nuk ka reaguar shteti shqiptar edhe pse kanë kaluar dymbëdhjetë orë.
“Kanë kaluar 12 orë dhe akoma nuk ka pasur asnjë reagim nga shteti shqiptar. Nuk ka reaguar ministri i Brendshëm, Kryeministri dhe deputeti i parë i qarkut ku shërbeu drejtori, nuk kanë gjetur fjalët, kurajon, s’kanë moralin të ngrenë zërin kundër krimit për shërbëtorin e ligjit. Se këtu jemi të mjerë, të gjithë jemi të mjerë, i mjerë është populli. Vetëm ata janë në rregull”, ka thënë në fjalën e tij Basha.
Në vijim të komunikimit të tij Lulzim Basha, kryetari i PD-së i është përgjigjur kryetarit të KQZ-së, Denar Biba, i cili deklaroi se për t’i dhënë kohë opozitës do ta shtynte afatin e regjistrimit të partive për zgjedhje edhe 19 ditë. Gjithashtu Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, është shprehur se është gati t’i japë opozitës KQZ-në.
“Kjo KQZ është kukull me këtë kryetar idiot që u thotë shqiptarëve që tani që po afron afati i regjistrimit, unë e shtyj edhe 19 ditë. O Denar Biba je kryetar i KQZ-së, jo Papa i Vatikanit, o idiot. Regjistrimi skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur. Zgjedhje të diktuara nga krimi nuk ka për të pasur. Socialistët të rrinë rehat se jo vetëm Shqipëria por edhe Partia do çlirohet nga zgjedha e krimit.
Kështu i bie që ky të na e bekojë kanabisin dhe të thotë ky është rigon jo kanabis. Kjo nuk është për të qeshur por për të qarë”, tha Basha