INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shpërthen Ergys Kaçe: Do iki nga kombëtarja!

Shpërthen Ergys Kaçe: Do iki nga kombëtarja!

Publikuar më: 12:05 11-10-2016

Ergys Kaçe do të braktisë Kombëtaren shqiptare. Jo për mosrespekt të fanellës apo për mungesë të ndjeshmërisë ndaj kombit, por për të mos e pranuar më trajtimin që i bëhet nga stafi i kombëtares dhe drejtpërdrejt nga trajneri De Biazi.

Mesfushori i huazuar te Plzen, pritet që në të ardhmen të refuzojë edhe ftesat që do të marrë nga trajneri italian.

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar edhe prapaskenat që kanë ndodhur në grumbullimin e fundit të kuqezinjve, që kanë shtyrë lojtarin të ndërmarrë një veprim që asnjë tifoz kuqezi nuk do ta mirëpriste.

Në momentin që Kombëtarja kuqezi ka kryer seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”, Xhani De Biazi i ka komunikuar Kaçes, në prani të pjesëtarit të stafit, Ervin Bulku, që ai nuk do të ishte në formacion dhe se do ta ndiqte ndeshjen në tribunë, duke mos u përfshirë në protokoll. Ai më tej i ka “premtuar” lojtarit se do ta llogariste si pjesë të formacionit bazë për ndeshjen e ardhshme kundër Izraelit.

Kjo e ka bërë Kaçen të mendojë largimin nga grumbullimi, por një bisedë me presidentin e FSHF-së e ka bindur për të shmangur skandalin.

Burime pranë lojtarit kanë bërë me dije se Kaçe ka vendosur paraprakisht që të mos pranojë më që të vijë në Kombëtare, duke parë sjelljen që trajneri ka shfaqur ndaj tij. Vendimi i De Biazit në ndeshjen e fundit kundër Spanjës për ta dërguar lojtarin në tribunë e ka detyruar këtë të fundit që të ndërmarrë një vendim drastik për Kombëtaren.

Nga sa mësohet prej burimeve të gazetës brenda Kombëtares, lojtari ka bërë me dije që do të refuzojë ftesat e Kombëtares në të ardhmen për sa kohë trajneri i saj vazhdon që ta injorojë.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se lojtari nuk është ankuar asnjëherë për mosaktivizimin e tij, pra është treguar profesionist duke pranuar stolin, pavarësisht dëshirës për të qenë në fushë, por lënia jashtë protokollit zyrtar është konsideruar e tepërt nga ana e mesfushorit të Plzen.

Article Logic
Execution time: 0.0038490295410156