Një anije turistike shpërtheu në flakë në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Galicia.
Ajo kishte në bordin e saj 48 turistë dhe katër anëtarë të ekuipazhit në momentin që u përfshi nga zjarri. Shumë pasagjerë u hodhën në det, pasi rojet civile të Spanjës dhe anijet e civilëve nxituan drejt vendit të ngjarjes për ti shpëtuar. Sipas mediave lokale, një numër pasagjerësh janë trajtuar për djegie dhe lëndime të tjera dhe shumë prej tyre janë në gjendje shoku pas ngjarjes. Autoritetet në rajonin e Galicisë shkruan në llogarinë e tyre në Twitter se dy njerëz kanë marrë djegie të rënda dhe u transportuan në një spital të martën.
Gjithsej 22 ambulanca u njoftuan për të ndihmuar të lënduarit nga flakët në breg, së bashku me dy helikopterë mjekësorë në gatishmëri.
Tre të tjerë po trajtohen në spitale të ndryshme lokale, në varësi të lëndimeve të tyre.
Askush nuk vdiq në zjarr.
Kombësia e personave që u përfshinë në incident janë ende të panjohura. Kryetari i Bashkisë Grove, José Antonio Cacabelos, tha:
"Lajmi më i mirë është se nuk ka vdekje.E gjithë kjo ishte një frikë që askujt nuk i pëlqen ta përjetojë".
Ai tha gjithashtu se duhet të ndërmerren masa sigurie për të garantuar që një incident i ngjashëm "të mos ndodhë përsëri".
Fotot dhe videot dramatike tregojnë tymin e zi që ngjitet në ajër ndërsa flakët djegin anijen.