Një makinë me të cilën po udhëtonin Ermal Mamaqi, Inva Mula, Hetem Ramadani dhe personazhe të tjerë të njohur është shkrumbuar totalisht nga flakët. Videoja është publikuar nga psikologia shqiptare, Mirela Sula, e cila ka qenë e pranishme në të njëjtin automjet me personazhet e famshëm.
Në video duket se ata janë frikësuar shumë, por Mirela shprehet se fatmirësisht ata arritën të dilnin në kohë nga makina dhe të shpëtonin.
“Kjo është makina me të cilin ne ishim nisur për të shkuar në Tropojë dhe Zoti donte që në te shpëtonim, të jemi gjallë. Ermal falë teje jemi gjallë. Imagjino të ishim akoma aty brenda çfarë do ndodhte, ne duhet të jetojmë akoma. Po mos të kishim qenë rob zoti s’do shpëtonim, falë energjisë së mirë”, shprehet Sula, ndërkohë që tregon pamjet e makinës së përfshirë nga flakët.
Në një postim në ‘Instagram’, duke treguar furgonin që ka marrë flakë, moderatori Ermal Mamaqi ka treguar se të gjithë janë mirë. “Miq për shkak të disa lajmeve që janë përhapur…Ju njoftoj që jemi të gjithë mirë. Ishim kaq shumë njerëz me energji pozitive sa shpërtheu furgoni. Jemi rrugës për Tropojë. Gëzuar Bajramin”, shkruan Ermali.