Një transformator i tensionit të lartë ka shpërthyer në autostradën Tiranë – Durrës.
Si pasojë e shpërthimit janë plagosur tre persona të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës.
Në një informacion paraprak, policia e Tiranës thotë se shpërthimi ndodhi në afërsi të një objekti në rikonstruksion si pasojë e një shkëndije elektrike. Për pasojë ka shpërthyer transformatori elektrik.
Policia bën me dije se të plagosurit janë punonjës të këtij objekti.
Ata janë shtetasit me inicialet GJ. S, S. Ç dhe F. Ç të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjeksore.
Ndërkohë për ngjarjen, pati një reagim më të detajuar edhe nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Sipas OSHEE, një kompani private, ishte duke kryer punime në ausotradë, ku dy punëtorë të kësaj firme kanë shkurtuar distancën me linjën 110 kV të OST, çka ka shkaktuar masë.
Ky defekt la pa energji bizneset përgjatë autostradës, zona e Kamzës, Vora dhe Mëzez.
“Grupi i punës së avarisë së OSHEE mori masa për furnizimin menjëherë të nstacionit me linjën rezervë dhe aktualisht kanë marrë energji të gjithë zonat e lartpërmendura.
Aktualisht kemi stakuar për masë vetëm fiderin që furnizon me energji zonën pranë subjektit në rikonstruksion", thotë OSHEE në një njoftim për ngjarjen.