12 vetë janë plagosur pas një shpërthimi në një fabrikë kimike pranë aeroportit të Kajros. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve egjiptiane MENA, ky është bilanci paraparak dhe të plagosurit janë shtruar në spital. Ende nuk jepen detaje për gjendjen e tyre shëndetësore nëse janë ose jo në rrezik për jetën. Një zëdhënës i ushtrisë tha se shpërthimi u shkaktua nga temperaturat e larta në një depo karburanti. Trafiku ajror në aeroport nuk është prekur, dhe kjo është konfirmuar nga ministri i aviacionit të Egjiptit Younis Al-Masri. Sipas dëshmitarëve okularë, zhurma e shpërthimit ishte shumë e fortë dhe flakët mund të shiheshin nga një distancë. Zjarrëfikësit kanë arritur që të shuajnë flakët, sipas televizionit shtetëror.