Një makinë bombë ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në Institutin e Kriminologjisë së Policisë, në Neder-Over-Heembeek, Bruksel. Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar, pasi shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur rreth orës 2:30 të mëngjesit, kur godina ishte bosh. Sipas mediave në Bruksel, mbetet ende e paqartë se si makina i ka shpëtuar tre pikave të kontrollit dhe është futur në oborrin e Institutit të Kriminologjisë.
Banorët e Neder-Over-Heembeek janë tronditur nga shpërthimi, që shkaktoi një re të madhe tymi në zonë. Zjarrfikësve iu desh të punonin për tre orë me radhë për shuarjen e flakëve në godinë, ndërsa policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të sulmit me bombë ndaj policisë.