Ditën e enjte, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet Komisioni i Etikës dhe në rend dite për të diskutuar dhe vendosur ka vetëm një çështje, ajo e Skënderbeut.
Penalizimi i një viti më parë nga komisionet e UEFA-s për të mos marrë pjesë për një vit në veprimtaritë europiane ishte vetëm një vendim ndërkombëtarësh, që pritet të pasohet nga një vendim i organizmit të futbollit shqiptar, FSHF-së.
Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e UEFA-s, e cila ka nxitur Komisionin e Etikës të reagojë. Një penalizim i radhës për 6 herë kampionët e Shqipërisë është paralajmëruar që në muajin dhjetor nga shefi i Komisionit të Disiplinës dhe Integritetit të UEFA-s, Emilio Garsia, i cili theksoi se asgjë nuk kishte përfunduar me përjashtimin nga kupat e Europës dhe se hetimi ishte në progres.
Gjatë të gjithë vitit, Komisioni i Etikës ka marrë në pyetje në disa raste lojtarë dhe protagonistë të këtij hetimi, duke u përpjekur të grumbullojë sa më shumë të dhëna. Mbledhja në përfundim të kampionatit, madje edhe pas finales së Kupës së Shqipërisë, e cila do të luhet ditën e mërkurë, duke të jetë një vendim për të mos prishur garën në mesin e saj.
Një vendim për të penalizuar Skënderbeun në këtë sezon do të ishte një asist për Tiranën, e cila deri më tani, me garën e mbyllur është në zonën e rënies nga kategoria, por që prej ditësh po mban sy e veshë nga Komisioni i Etikës, nëse vërtet mund dalë vendimi nga i cili mund t’i korrigjojë këtë sezon të hedhur dëm dhe për t’i dhënë një tjetër mundësi në Kategorinë Superiore të sezonit të ardhshëm.
Por, derisa të mblidhet Komisioni i Etikës, Skënderbeu dhe Tirana do të mblidhen të dyja në “Elbasan Arena”, për ndeshjen e fundit të sezonit 2016-2017, finalen e Kupës së Republikës së Shqipërisë.