INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqipëri – Mal i Zi/ Rama ftesë homologut malazez: Në tetor ju pres në Shkodër

Shqipëri – Mal i Zi/ Rama ftesë homologut malazez: Në tetor ju pres në Shkodër

Publikuar më: 17:43 03-04-2017

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Mal të Zi për një takim me homologun e tij, Dusko Markovic. Takimi mes dy personaliteteve u bë në përpjekje të rritjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në muajin tetor, Shqipëria dhe Mali i Zi do të zhvillojnë mbledhje të përbashkët qeverie, njësoj si modeli i mbledhjeve të përbashkëta me Kosovën.

Ky fakt është bërë i ditur nga vet Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp nga Podgorica së bashku me homologun malazez.

Kryeministri malazez, Dusko Markovic, vendi i të cilit është në prag të hyrjes në NATO, falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e saj në këtë rrugëtim.

“Shqipëria na ka mbështetur shumë, gjithashtu ne kemi mbështetur komunitetin shqiptar, dhe kemi rritur bashkëveprimin me ta. Është duke u miratuar ligji për pakicat shqiptare, ku do të kenë një përfaqësues. Po ashtu do të ketë edhe Mali i Zi përfaqësues në Shqipëri. Inkurajojmë paqen dhe stabilitetin në rajon. Të bashkëpunojmë për një kohezion më të gjerë, dhe për zhvillimin e procesit integrues. Duhet të shfrytëzojmë potencialet tona. Falenderoj Ramën për inkurajimin e përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve” tha Markovic.

Pas Markovic, fjalën e mori kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili u shpreh se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO-n ishte një arritje historike jo vetëm për vendin në fjalë por për të gjithë rajonin. Rama falënderoi edhe kryeministrin malazez, që sipas të cilit ka nxitur përmirësimin e marrëdhënieve me shqiptarët në Mal të Zi.

“Së shpejti Mali i Zi do jetë pjesë e NATO-s dhe kjo është arritje historike jo vetëm për Malin e Zi por edhe për rajonin tonë. Sepse më pas e gjithë vija bregdetare e Jonit dhe Adriatikut do të jetë zonë e NATO-s. Nga ana tjetër jam i inkurajuar se kryeministri malazez i ka dhënë një shtytje serioze marrëdhënieve me shqiptarët në Mal të Zi në drejtim të përmbushjes së të drejtave të tyre legjitime. Ne jo vetëm i kemi mirëpritur marrëveshjet mes partive dhe faktorin politik shqiptar, por kemi bindjen se inkurajimi i mëtejshëm i kësaj marrëdhënieje është faktor stabiliteti për Malin e Zi. I jemi mirënjohës lidhur me hapat e marra deri tani për marrëveshjen e gjerë dhe dialogun demokratik me faktorin shqiptar. Të jeni të bindur që shqiptarët e kuptojnë këtë ndjeshmëri dhe si një detyrim për të qenë kontribuues të fuqishëm në rrugën e Malit të Zi si anëtar i NATO-s. Në tetor do organizojmë mbledhjen e përbashkët në tetor, si ciklin e një përpjekje të re për përmirësimin e jetës ekonomike e sociale të njerëzve të dy vendeve,” tha Rama.

 

Article Logic
Execution time: 0.0035419464111328