INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqipëri, ngjarjet kryesore politike të 2017 nga çadra te Tahiri

Shqipëri, ngjarjet kryesore politike të 2017 nga çadra te Tahiri

Publikuar më: 09:04 30-12-2017

Nga protesta e Partisë Demokratike e cila nisi në fillim të 2017 deri tek çështja Tahiri e cila ka trazuar së fundmi aktualitetin shqiptar Zëri i Amerikës ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve kryesore politike.

Viti 2017 nisi me protesta e opozitës në bulevardin qëndror të Tiranës dhe u mbyll po me protestat e saj të forta këtë herë në parlament. Në zgjedhjet e Qershorit, e majta arrin të garantojë një mandat të dytë qeverisës, tanimë e vetme, dhe pa aleatin e saj LSI-në, e cila kalon në opozitë. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha do të rikonfirmohet në këtë post, pas humbjes së thellë në zgjedhje e përmes një gare të kundërshtuar nga kritikët e tij brenda partisë. Procesi i Reformës në Drejtësi do të përparojë ngadalë duke hasur pengesa të shumta, shkruan Zëri i Amerikës.

KRIZA POLITIKE
Për tre muaj me radhë opozita qëndroinë sheshin përpara kryeministrisë duke kërkuar largimin e Qeverisë si kusht për garantimin e zgjedhjeve të lira në Qershor. Zgjidhja erdhi atëherë kur shumë pak e prisnin, falë një marrëveshjeje të arritur kokë më kokë, mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Pas disa muajsh protest, pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve pas orësh intensive komunikimesh mes palëve, kur gjithshka dukej se kishte marrë sërish rrokullimën, mbrëmjen e 17 Majit, ndërsa partitë parlamentare ishin mbledhur në një takim, kryeministri Rama kërkon bisedime kokë më kokë me zotin Basha. Pas mesnatës njoftohet arritja e marrëveshjes “bazuar në paketën McAllister+ të propozuar nga SHBA-ja”, shpjegon zoti Basha në krah të kryeministrit Edi Rama.


ZGJEDHJET E QERSHORIT
Fushata do të shkojë përgjithësisht e qetë, sikundër dhe dita e votimit. Si asnjëherë më parë rezultati do të dalë për një kohë rekord. Socialistët fitojnë të vetëm, duke u rritur dhe më shumë karahasuar me zgjedhjet e 2013, e duke siguruar 74 mandate. “Shqipëria ka folur troç. Shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht Kuq e Zi”, shprehet zoti Rama në mitingun e fitores më 27 Qershor.
Pas 8 vitesh në pushtet, Lsi kalon në opozitë, ndonëse ajo rrit përfaqësimin ne parlament, duke marrë 19 mandate. Për kryetarin Petrit Vasili ky është një mision historik “që ka të bëje me bërjen më në fund të vendit me një opozitë të vërtetë”. Dy ditë më pas, më 29 Qershor, ai jep dorëheqjen duke propozuar zëvendësimin me zonjën Monika Kryemadhi. Lsi do të flasë për “një proces të shëmtuar zgjedhor”.
Për një proces të kontrolluar nga blerja e votës do të pretendojë dhe Partia demokratike, e cila pëson një humbje të rëndë duke zbritur në 43 mandate.

GARA PER KREUN E PD
Ndërsa do të njoftojë hapjen e garës për drejtimin e partisë, zoti Basha refuzon largimin duke prpozuar formulën e ngrirjes së funksioneve të tij si kryetar. Javët që do të pasojnë do të jenë të ngarkuara me polemika të forta. Ndërsa pikëpyetjet nuk do të mungojnë dhe mbi vetë procesin e votimit, ku zoti Basha pati përballë vetëm një kandidat, zotin Eduard Selami.

QEVERIA DHE ÇESHTJA TAHIRI
Me partinë kryesore të opozitës të dalë nga një humbje e thellë dhe e përçarë nga gara e brendshme, u duk se shumica do ta gëzonte për një kohë të gjatë e patrazuar, fitoren e 25 Qershorit. Por shumë shpejt, qetësia do të tronditet nga dyshimet për lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me një grup narkotrafikantësh.

REFORMA NE DREJTESI
Debatet e shumta lidhur me drogën, krimin e organizuar e korrupsionin, sjellin në vëmendje, gjithnjë e më me forcë, Reformën në Drejtësi. Zbatimi i saj do të hasë pengesa nga më të ndryshmet. Dhe vetëm në vjeshtë komisionet që do të kryejnë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të mund të nisin punën.

Zgjedhja e Kryeprokurores
Seanca në parlament, në 18 Dhjetor, do të zhvillohet në kaos. Ndërsa jashtë policia frenon mbështetësit e opozitës kryeprokurorja Arta Marku do të betohet mes reve të tymueseve të ndezura në sallë .

Për opozitën “Edi Rama ka konsumuar dhunimin e Kushtetutës, për të mbrojtur Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë veten e tij”, shprehet në mbyllje të seancës zoti Basha.

Pas një mbledhjeje të përbashkët PD e LSI- njoftojnë nisjen e protestave në fillim të 2018. Kryeministri Rama flet për “shfaqjen më të fundit të përpjekjes së dëshpëruar për bllokimin e Reformës në Drejtësi”.

Dhuna në sallë do të dënohet nga delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasada amerikane. Kjo e fundit nuk e fsheh aprovimin për largimin e zotit Llalla ndërsa shprehet se: “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”.

Article Logic
Execution time: 0.0035109519958496