INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
IN BLOG - Shqipëri, o popull mërgimtarësh!

IN BLOG - Shqipëri, o popull mërgimtarësh!

Publikuar më: 10:12 02-10-2017

Nga AUREOLA BUZI

 

E di çfarë përçmoj më së tepërmi mbi vendin tim?

Faktin se në kornizën time të përfytyrimit të Shqipërisë një vend thelbësor e zë migrimi.

Shqipëria, mendoj,-  ky vend mërgimtarësh!

Qysh nga kur nuk mbahet mend, më të mirët largohen. Marrin me vete mallin, nostalgjinë, dashurinë e mërinë ndaj tokës dhe largohen, ndoshta për të mos u kthyer më. Ndër shekuj, ndër dekada, jemi një popull që riprodhohet për të mos u shtuar, për të mos u rritur, lulëzuar, sepse më të mirat filiza largohen.

Përçmoj faktin se edhe pse me kokëfortësi e zemër në dorë kam zgjedhur të jetoj këtu, çdo ditë është e vështirë. E atyre që m'i do zemra, për se ua dua të mirën tepër, nuk mundem t'u kërkoj që të rrinë.

Ne rritemi për t'u larguar, programohemi për t'u larguar. Kaq shumë gjuhë të huaja, kaq shumë përgatitje e nënvetëdijshme që një ditë të mund të nisim shtegtimin.

Të gjithë miqtë më janë larguar. Frida tanimë jeton me Nikun në Gjermani, u nisën për vetëm pak muaj dhe fati mund ta ketë shkruar të mos kthehen më. Punojnë kamerierë diku në pyjet e Kostanzës me shpresën që një ditë do kenë të ardhura mjaftueshëm për t'i dhënë vlerë diplomës e për të mos u kthyer më. Johana është në Paris dhe me kalimin e viteve e di që nuk është më e sigurt se ku ndodhet vërtetë shtëpia mes të dyja shteteve. Juxhini studion aviacion ushtarak në Stamboll dhe me të gjithë talentin që ka, pale në cilin shtet e degdis Turqia. Dhe lista është tepër e gjatë, zemra më është ndarë në pjesë dhe strukur në vende të panjohura, me shpresën për një të ardhme më të mirë.

Sot dhe Klevi, kushëriri i vogël i zemrës vendosi të shtegtojë me vjeshtën. Ç'mund t'i them unë? T'i them rri për diplomën që me shumë të ngjarë nuk do e përdorësh kurrë? T'i them rri që rininë ta shpiesh dëm duke punuar në orë të gjata e të mundimshme me shpresën që në fund të muajit të marrësh 300$ që s'do të të mjaftojnë kurrë për të patur një jetë normale me familjen tënde? Ç't’i them sot Klevit? Ç't’i themi të rinjve që vendosin të largohen?

Zoti të pastë në zemër bir shqiptar, bir i një populli mërgimtarësh! Nuk është faji yt.

Zemra më është ndarë në 100 kontinente, të mundimshme, të të rinjve që enden në kërkim të fatit.

Shqipëri, o popull mërgimtarësh!

..shqiponjat gjithnjë fluturojnë vetëm.

Article Logic
Execution time: 0.0035579204559326