INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Shqipëria, 1 bar kafe për 152 banorë. Po sa konsumatorë pinë kafe?[VIDEO]

Publikuar më: 10:23 02-10-2018

Shqipëria është ndër vendet që ka numrin më të lartë të bar-kafeve në raport me popullsinë, po kur vjen puna te kafeja nuk shquhemi për ndonjë dashuri të veçantë. Ndonëse kafeja është pikënisja e ditës prej shumë prej nesh, importet  kanë shënuar rënie në 2017-n dhe renditemi të fundit për sa i përket konsumit për frymë. Pjesa më e madhe e importeve të kafesë në vend vjen nga Bashkimi Europian, Italia, e cila përgjigjet për rreth 63% të importit në vend, apo rreth 14.8 milionë dollarë. Sipas të dhënave të Doganës, në total janë importuar rreth 23.8 milionë dollarë kafe në vend. Vendi i dytë me peshën më të lartë të kafesë së importuar në Shqipëri është Brazili, ku sipas të dhënave të Doganës për 2017-n ishte 4.47 milionë dollarë apo rreth 18% të totalit, ndërsa në vend të tretë renditet India me rreth 2.1 milionë dollarë sasi të importuar në 2017-ën.  Një shqiptar sipas INSTAT, konsumon mesatarisht 3.1 kg kafe në një vit, më e ulëta në rajon, ndrësa si konsumues më të mëdhenj të kafes në rajon janë serbët dhe më pas renditen boshnjakët. Nga të dhënat e përpunuara të konsumit të kafesë për frymë, vendet aziatike kanë sasinë më të ulët të konsumit për frymë të kafesë në botë. Kjo lidhet edhe me kulturën e këtyre vendeve, të cilët konsumojnë çaj në vend të kafesë. Po sipas këtij raporti, Shqipëria në raport me popullsinë është e para për numrin e kafeneve, pra për 152 banorë ka një bar kafe. Ndonëse nuk e pimë shumë kafenë, kafenetë i gjen me shumicë dhe shpesh të mbushura plot në çdo cep të kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795, me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm. Në Europë, Spanja dhe Shqipëria mbajnë vendet e para për nivel të lartë baresh. Ndërsa fqinji jonë Italia, ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë.

Article Logic
Execution time: 0.0037188529968262