Parashikimet për hapjen e negociatave për Shqipërinë në muajin tetor janë të zymta. Ndaj dhe thirrjet e kreut të shtetit për marrjen e kthesës janë të vazhdueshme. Sot Ilir Meta bëri thirrje të mos kalohet në kundërkohë. “Të mos kalojmë në KundërKohë! Ky është pikërisht momenti kur koha nuk punon më për ty dhe ti fillon e gënjen veten se do gjesh një rrugë justifikimi për dështimin tënd të sigurt. U ndodh shpesh fëmijëve kur kanë përpara provimin e një lënde që nuk i tërheq fare!”, shkruan Meta.
Sipas Metës, Shqipëria nuk mund të qëndrojë e fundit në rajon. “Për më tepër të një vendi që ka shpërdoruar kaq shumë kohë dhe mundësi në tre dekadat e fundit. Të një vendi që në vitet 2000, 2001 ishte gati me të njëjtin ritëm integrues si Kroacia dhe shumë para Serbisë e Malit të Zi. Se ku është Kroacia, dihet prej vitesh, por edhe Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu. Po kështu edhe sakrifikimi i çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut nuk mund të jetë, as zgjidhje, dhe as shpëtimi i fytyrës tonë që nuk duam t'i plotësojmë detyrimet që i dinë të gjithë. Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar!”, thotë ai.
Meta u kërkon liderve politikë që të mos jenë kokëfortë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët. “Duhet hequr dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s'kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët. Duhet Lidership dhe Lidershipi jep zgjidhje në interes të të gjithë vendit! Në mënyrë që 18 tetori të jetë një ditë e gëzueshme për mbarë shqiptarët dhe rikthimi, jo vetëm të shpresës e sigurisë për të ardhmen, por në radhë të parë të të rinjve tanë. Shqipëria ka nevojë për zgjidhje! Tani! Në shtator do jetë shumë vonë! Aq më tepër pas 18 tetorit të sakrifikuar për mungesë përgjegjësie ndaj vendit. Shqipëria është lodhur me marrëveshje tejet të vonuara, që sakrifikojnë të ardhmen e saj, për të shpëtuar karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm, në emër të gjoja stabilitetit që ata e minojnë çdo ditë me sjelljet dhe mosveprimet e tyre”, shprehet Meta.
Këtë postim Meta e ka bërë duke rikujtuar një takim me kryeparlamentarin e Gjermanisë, Wolfgang Schauble.