INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Shqipëria, e pesta në botë për naftën e shtrenjtë

Shqipëria, e pesta në botë për naftën e shtrenjtë

Publikuar më: 08:28 30-03-2018

Shqipëria renditet e pesta më e shtrenjtë në botë për sa i përket çmimit të karburanteve në krahasim me të ardhurat për frymë, pas Moldavisë, Indisë, Jordanisë dhe Marokut.

Të dhënat janë përpunuar nga “Monitor”, bazuar në informacionin mbi çmimin e benzinës që jepet nga Global Price Petrol dhe të ardhurat për frymë sipas metodës së fuqisë blerëse, të Bankës Botërore. Treguesi mat përballueshmërinë, në bazë të përqindje së të ardhurave ditore që duhet për një litër karburant.

Çmimi i benzinës, që merret për referencë nga Global Price Petrol ishte 1.68 dollarë/litër në Shqipëri, në nivele të ngjashme me shtete që kanë të ardhura për frymë shumë më të larta sesa Shqipëria, si Gjermania, Belgjika, Holanda, Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia etj. Në vlerë absolute Shqipëria renditet e 23-a më e shtrenjtë në botë.

Shqiptarëve u duhen 5.3% e të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. Ndonëse Norvegjia, psh, ka ndër çmimet më të shtrenjta në botë të naftës në vlerë absolute (2.05 USD/litër), qytetarët e saj mund ta përballojnë fare mirë, pasi u duhen vetëm 1.3% të të ardhurave ditore për të furnizuar makinën me një karburant.

Pse e paguajmë kaq shtrenjtë naftën?

Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku 60% të çmimit e përbëjnë taksat.
Ndryshe nga Shqipëria, Maqedonia nuk e ka taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës, por e merr direkt tek automjetet.

Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH totale arrin në 28 lekë për litër.

Për herë të parë, Shqipëria ka nisur zbatimin e sistemit të rrugëve me pagesë, përmes dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së segmentit Milot-Morinë, ku tarifat janë 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët, sërish ndër më të lartat në Europë.

Nga ana tjetër, juristët kanë pohuar se ato mund të ankimohen në gjykatë, për shkak se cenohet parimi kushtetues se nuk mund të paguhen më shumë se dy lloje taksash për të njëjtin funksion

Article Logic
Execution time: 0.0038130283355713